Themeluesi i “Twitter”-it dhuron një miliard dollarë për luftën kundër koronës
Jack Dorsey, themelues i rrjetit social “Twitter”, tha se do të dhurojë një miliard dollarë për të ndihmuar për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Dorsey tha se donacioni paraqet rreth 28 për qind të pasurisë së tij.
Ai e bëri njoftimin në “Twitter”, duke thënë se “nevojat janë gjithnjë e më urgjente”.
Dorsey nuk tregoi saktësisht se ku do të dërgohen fondet.
Në Shtetet e Bashkuara ka mungesë të ventilatorëve dhe të pajisjeve mbrojtëse për stafin shëndetësor, ndërsa bizneset dhe individët, po ashtu, janë duke luftuar ekonomikisht.
SHBA-ja, njëherësh, ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në botë: mbi 398 000, ndërsa numri i viktimave atje ka kaluar 12 000.
Nga miliarderët e teknologjisë, edhe themeluesi i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, ka ndarë 30 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave do të investohen në përpjekjet për krijimin e një trajtimi.
Jeff Bezos i “Amazon”-it ka ndarë 100 milionë dollarë, ndërsa shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, ka thënë se do të dhurojë furnizime mjekësore në Itali – vendin me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë. REL