Thesari bllokon mbi 6 mijë lëndë përmbarimore për pagesa
Ministria e Financave ka bllokuar mbi 6 mijë lëndë përmbarimore për pagesa që janë në shqyrtim në Thesarin e shtetit. Një gjë e tillë është duke u konsideruar shqetësuese dhe dëmtuese ndaj bizneseve të cilat kanë lëndë të zgjidhura nëpër gjykata.
Ministria e Financave, e drejtuar nga Hekuran Murati, ka bërë me dije se ka probleme me sigurim të fondeve për të kryer pagesat ndaj kompanive për të cilat shteti ka obligime.
Thesari ka listuar gjashtë arsye pse po ndodhë vonesa e shqyrtimit të këtyre mijëra lëndëve. “Të gjendur në situatë të tillë, thesari e ka të pamundur ekzekutimin e vendimeve në afat të shkurtë kohorë për arsye të cilat do t’i listojmë si në vijim: 1. Lëndët dorëzohen të pakompletuara apo edhe me gabime nga ana gjykatës apo përmbaruesve privat, të cilat pamundësojnë realizimin e pagesave e që për rrjedhojë marrin kohë për procedim për ekzekutim. 2. Kryerja e verifikimeve shtesë me qëllim të shmangies së pagesave të dyfishta, duke pritur edhe konfirmime nga ana e organizatave buxhetore në cilësi të palës debitorë. 3. Mungesa e ndarjeve buxhetore në dispozicion të debitorëve, pra lëndët nuk arrijnë të ekzekutohen për arsye tërësisht objektive që nuk varen nga thesari edhe pse tentohet disa herë realizimi i pagesës nuk arrihet në mungesë të buxhetit në dispozicion të organizatës buxhetore – debitorit. 4. Mungesa e buxhetimit apo alokimit të fondeve sipas Ligjit Nr.08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. 5. Bartja e lëndëve nga viti paraprak të cilat nuk kanë arritur të ekzekutohen në fund vitin e kaluar për arsye të mungesës buxhetore në dispozicion të organizatave buxhetore – debitorëve, lëndë të cilat janë bartur në këtë vit fiskal për ekzekutim. 6. Ekzekutimi i vendimeve në përputhje me shpenzimin e krijuar sipas kategorisë ekonomike”, është thënë në përgjigjen e Thesarit.
Për zvarritjen ose bllokadën e këtyre vendimeve gjyqësore ka raportuar ditë më parë “Kosovapress”, ku kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat në Kosovë, Arben Gashi, ka thënë se mosekzekutimi i urdhrit të përmbaruesit përbën shkelje ligjore nga Ministria e Financave, në këtë rast nga Thesari.
Sipas Gashit, ligjërisht Thesari do të duhej të ekzekuton mjetet financiare brenda 24 orëve.
Gashi ka theksuar se vonesat e ekzekutimit të lëndëve në thesar janë shqetësuese, dhe sipas tij, kreditorët ligjërisht kanë të drejtë të kërkojnë kamatën prej 8 për qind për këto vonesa.
Ndërsa zyrtarë të thesarit kanë pranuar për “Kosovapress” se 6 mijë mijë lëndë përmbarimore janë në sirtarë të këtij institucioni. “Për informimin tuaj, këtë vit Thesari ka të evidentuara në procedurë të ekzekutimit mbi 6 mijë lëndë deri tani, lëndë këto të pranuara nga autoritetet përmbaruese si gjykata dhe përmbaruesit privat (të cilat ndodh që dorëzohen të pakompletuara apo edhe me gabime të cilat pamundësojnë realizimin e pagesave e që për rrjedhojë marrin kohë për procedim për ekzekutim”, është thënë në përgjigjen e Thesarit.
Ndërsa disa prej biznesmenëve kanë theksuar se derisa vetë këto institucione që kërkojnë nga kompanitë private t’i përmbushin obligimet ndaj ATK-së në afatet kohore, Ministria e Financave shkelë ligjet në fuqi për ekzekutimin e lëndëve përmbarimore.
Për këto ankesa, nga kjo ministri kanë thënë se për këtë çështje është përgjegjëse ATK.
Për veç kësaj, sfidë tjetër për kreditorët, mbetet edhe vonimi i shqyrtimit të mijëra lëndëve përmbarimore në gjykata, përkatësisht në Gjykatën Komerciale.