Thirrje e re nga Ministria e Arsimit, këtë herë mbështeten studentët e doktoratës
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se ka hapur thirrjen për mbështetjen e studimeve të doktoraturës në 500 universitetet siç ka thënë ajo, më të mirat në botë.
Vlera e mbështetjes për një student pritet të jetë 8 mijë e 500 euro.
“Lajm i mirë dhe një mundësi më shumë për studentët e doktoratës. Kam kënaqësinë të ju njoftoj se kemi hapur sot thirrjen për përkrahjen e studimeve të doktoratës në 500 universitetet më të mira në botë, sipas listës ‘Shanghai’ të vitit 2024/2025. Vlera e mbështetjes për një student do të jetë 8,500.00 euro. Konkursi është publik dhe vlen për studentët shtetas të Republikës së Kosovës. Përparësi kanë aplikuesit/et që nuk kanë bursë të pjesshme nga ndonjë skemë/institucion brenda apo jashtë vendit dhe ata/ato që studiojnë në universitetet e ranguara më së larti në rangimin ndërkombëtar të universitetit pritës. Thirrja do të jetë e hapur deri më 14.10.2024, në ora 16:00. Për studentët tanë, më shumë përkrahje e më shumë mundësi!”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.