Thirrje për protestë nesër: Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara
“Thirrje për protestë: Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara! Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona… Asnjë hapësirë nuk është më e sigurtë për ne!”, kështu e ka nisur reagimin Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK, pas vrasjes së një gruaja në oborrin e QKUK-së, e cila ishte edhe shtatzënë.
Duke njoftuar se protesta do të mbahet nesër në orën 16:00 te sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë.
RrGK ka theksuar se “në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive, dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni nesër, në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti,
Prishtinë”.
Sipas RrGK-së, brenda një jave, dy burra vranë dy gra. “Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale! Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë!”, është theksuar në reagimin e RrGK-së.