Thirrje për qeverinë që t’i përmbush kushtet për të përfituar nga fondi 6-miliardësh i BE-së
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) i kanë bërë thirrje qeverisë që të jetë vigjilente në përmbushjen e kushteve që i janë vendosur Kosovës, në mënyrë që vendi të mos humbas shansin që të përfitojë nga fondi 6 miliardë euro i Bashkimit Evropian, në kuadër të Planit të ri të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se kërkesa e shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, që Kosova sa më shpejt ta heqin ndalimin e produkteve serbe në mënyrë që të përfitoj nga ky plani, duhet të shqyrtohet me kujdes nga institucionet e vendit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se qeveria duhet që të jetë shumë e kujdesshme sa i përket implementimit të planit zhvillimorë në mënyrë që t’i përmbush kushtet të cilat kërkohen për të përfituar në ky plan.
Kjo pasi sipas tij, nëse vendi dështon në përmbushjen e kushteve, mjetet e dedikuar për Kosovën i shkojnë vendeve fqinje.
“Edhe më herët kemi kërkuar që të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket implementimit të planit zhvillimor. Në qoftë se ne e humbin hapin ose nëse nuk i përmbushim kushtet të cilat na kërkohet, atëherë këtu nuk do të jetë vetëm humbje kohë siç na ka ndodhur te liberalizimi i vizave, që humbëm kohën për dhjet vite, sepse këtu do të humbasim edhe materialisht për arsye se shuma e mjeteve që është e paraparë për Kosovën, në rast që nuk arrihet për t’u shpenzuar për shkak se nuk i ke plotësuar kushtet ajo shumë e mjeteve ju shpërndahet vendeve të Ballkanit, përfitojnë vendet tona fqinje. Për këtë arsye ne duhet të jemi shumë të përpiktë në plotësimin e kushteve që kërkohet dhe të jemi në koherencë me gjitha vendet e tjera gjatë fazave të implementimit që mos të ngecim. Në planin zhvillimor është bërë shumë e qartë se në rast se një shtet nuk i plotëson kushtet do ta ndalë vetën. Për këtë arsye kërkesa jonë vazhdon që ne të jemi shumë të përpiktë, edhe OEK-u për pjesën brenda kompetencave edhe mundësive që i ka do të jetë 24 orë në shtatë ditë të punës për t’i ndihmuar institucionet për plotësimin e kushteve”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë se për vendet e Ballkanit është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ekonomik, pasi sipas tij, vetë integrimi në BE nuk mund të ndodh pa pasur një integrim të mirëfillte brenda vetë rajonit.