Thirrje për të mos votuar heqjen e emrit të heroit kombëtar Hasan Prishtina nga UP
Mehmet Prishtina
Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”
Është e pabesueshme se si në mbledhjen e mbajtur me 14.05.2024, të Komisionit për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, është votuar Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” votim ky i cili ka përfshirë edhe propozimet për heqjen e emrit të Heroit Kombetar Hasna Prishtina nga UP. Në rrethana normale nuk do të duhej të shprehej nevoja për përmendjen e kontributit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, por meqenëse kemi ardhur deri në këtë pika, ku propozimi për heqjen e emrit të tij nga UP, ka kaluar të gjitha hallkat deri në Kuvendin e Republikës së Kosovës duke perfshire edhe votimin në Komisionin për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe tani pritet votimimi në seance plenare, jemi të detyruar të ju sjellim në vëmendjen tuaj një pjese të kontributit të tij të pashoq prej një intelektuali, organizator të kryengritjeve për liri e pavarësi, kontribuues unik në hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjes së arsimit shqip në trojet shqiptare, përfaqësues i të drejtave të shqiptareve në Parlamentin Osman etj., të cilën e gjeni si me poshtë:
KONTRIBUT I HASAN PRISHTINËS, NDËR ATDHETARËT ME TË SHQUAR TË LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE
Në kohën e reaksionit të hapur ose të fshehur të regjimit xhonturk dhe përkrahësve të tij, arsimi kombëtar vazhdoi të zhvillohej, ndonëse me hapa shumë të ngadalshëm. Në këtë rrugë, një kontribut të theksuar kishte dhënë Hasan Prishtina, ndër atdhetarët me të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912), është mjaft i theksuar dhe i rëndësishëm, në kohën kur viset shqiptare ndodheshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, përbënin një pjesë kulmore të luftës së përgjithshme për liri kombëtare të shqiptarëve. Në këtë rrugëtim ai mëtonte për libra në gjuhën shqipe, për praktikimin e alfabetit latin dhe për hapjen e shkollave shqipe fillore, të mesme e të larta.
Në kohën kur kishin filluar të formoheshin klubet shqiptare, të cilat në platformën e tyre përfshinin edhe çështjen e arsimimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, me shkollën shqipe në Vilajetin e Kosovës u mor Klubi Shqiptar i Shkupit, i formuar në gusht të vitit 1908 me kërkesën e Hasan Prishtinës dhe bashkëveprimtarëve të tij.
Ndër aksionet e mëdha të këtij klubi ishte edhe inicimi i Kongresit të Alfabetit Kombëtar. Kështu, më 14-22 nëntor 1908, në Manastir, u mbajt Kongresi i Alfabetit. Mirëpo, me gjithë vështirësitë e pengesat me të cilat u përball ky Kongres, veprimtaria për realizimin e synimeve kombëtare nuk u ndal, por u shtua edhe më tej.
Në Kongresin e Elbasanit, më 2-8 shtator 1909, u vendos në hapjen e një shkolle normale të mesme e kombëtare. Kështu, me hapjen e Normales së Elbasanit, më 1 dhjetor të vitit 1909, Hasan Prishtina po përgatiste djem nga vilajeti i Kosovës që t`i dërgonte atje për shkollim, vetëm në Normalen e Elbasanit, atdhetari Hasan Prishtina dërgoj mbi 70 nxënës nga Kosova dhe Maqedonia, ku me mjetet e tij mori përsipër të gjitha shpenzimet për shkollim të tyre.
Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen e qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve anembanë që të ndihmojnë me të ardhurat e tyre përhapjen e diturisë në Shqipëri. Për këtë çështje ai kishte vendosur të jepte 5% të të ardhurave vjetore në dobi të zhvillimit të arsimit kombëtar në Shqipëri. Me këto mjete materiale ai mund të mbante rreth dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe t`i shkollonte në Normale të Elbasanit më shumë se 70 nxënës nga vilajeti i Kosovës.
Në kohën kur po zhvillohej Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912 (maj-gusht), nismëtar i së cilës ishte Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë, ishte korrur një sukses i dukshëm i kryengritësve të cilët kishin arritur në Ferizaj (5 gusht 1912), ku në po këtë ditë kishte dalë edhe dekreti perandorak për shpërndarjen e parlamentit, por njëkohësisht në Ferizaj u thirr një kuvend me nismën e Hasan Prishtinës.
Ai i paraqiti këtij Kuvendi 14 kërkesa që ndryshe njihen edhe si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, brenda të cilave i kushtoi rëndësi të madhe çështjes së arsimit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, duke e ndarë arsimin laik nga ai fetar (pika 5, 6, 7 dhe 8).
Në artikullin me titull “Shqipëria e Re” të botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë” në Sofje, më 22 tetor të vitit 1912, vlerësohej lart veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës në luftën e vazhdueshme të tij për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Prandaj, kontributi i Hasan Prishtinës në emancipimin kombëtar të shkollës shqipe dha rezultate konkrete dhe të pazëvendësueshme.
Bazuar në propozimet për ndryshime në draft statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” paraqesin këtë:
T H I R R J E
Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën kane memorie historike dhe të cilët njohin sadopak kontributin e papërsëritshëm të Heroit Kombëtar, ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë, Hasan Prishtinës, të mos përkrahin propozimin për heqjen e emrit të tij nga UP.
ZGJIDHJA E PROPOZUAR:
Në ndryshimet e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nder të tjera është parapare heqja e emrit të Heroit Kombëtar “Hasan Prishtina” nga ky Universitet, andaj në lidhje me këtë, paraqesim këtë:
P R O P O Z I M
Të amandamentohet Neni 2 i draft statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si në vijim:
Neni 2
Emri
1. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” mban emrin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina, ky emër i është vënë në vitin 2012.
2. Emri në përdorim është “Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”
3. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përdor akronimin “UP – Hasan Prishtina”.
4. Universiteti shfrytëzon emrin Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në çdo komunikim zyrtar, të brendshëm dhe ndërkombëtar, në aktet juridike që janë të autorizuara apo të nxjerra sipas këtij statuti, në simbolet dhe në dokumentet publike të tij.
5. Universiteti përdor edhe emrin “University of Prishtina “Hasan Prishtina” në gjuhën angleze dhe emrin “Universitas Studiorum Prishtiniensis “Hasan Prishtina” në gjuhen latine.
6. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është trashëgimtar i vetëm ligjor dhe institucional i universitetit të themeluar me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës (“Fletorja Zyrtare e KSAK” nr. 33/69 më 18 nëntor 1969).
7. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përfaqëson një monument të trashëgimisë historike, kulturore dhe institucionale të Kosovës dhe si i tillë gëzon mbrojtje më këtë statut.
Po ashtu në secilin rast, në këtë statut, aty ku përdoret Universiteti i Prishtinës të plotësohet si në vijim: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”
Në lidhje me mirënjohjen ndaj kontributit të plejadës së Heronjve Kombëtar, Fondacioni “Hasan Prishtina”, shpreh gatishmërinë për të marr përsipër koston financiare për sponsorizimin e një ligj, ku përmes thirrjes publike mbarëkombëtare do të angazhoheshin historian, jurist dhe ekspert të fushave të nevojshme, në lidhje me hartimin e një ligji i cili do të rregullonte njohjen dhe respektin e heronjve, ku do të vendoseshin kritere për identifikimin, përzgjedhjen dhe nderimin e heronjve kombëtarë dhe për të parashikuar kategoritë e heronjve dhe përmes bazës ligjore të rregullohet të ruajtja e kontributit të tyre dhe mos lejimi i diskriminimit ndaj tyre (përmes emërtimeve të shesheve, institucioneve, ndarjes se medaljeve shtetërorë apo mirënjohjeve në emrin e tyre etj.)