Thirrje raciste në ndeshjen Bullgari-Angli, jep dorëheqje Borislav Mikhailov
Kryetari i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhailov, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, ashtu siç iu kërkua nga Kryeministri i Bullgarisë, pas thirrjeve raciste nga tifozët bullgarë drejt futbollistëve me ngjyrë të Anglisë gjatë ndeshjes që u zhvillua të hënën në Sofje, në kuadër të “Euro 2020”.
Përballja mes Bullgarisë dhe Anglisë u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e vendas në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.
Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla. Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.
Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6-0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit. Megjithatë, tani pritet që Bullgaria të përballet me një dënim nga UEFA për incidentet e ndeshjes, për të cilat Federata e Futbollit e Bullgarisë nuk ka bërë shumë t’i parandalojë.
Kryeministri i Bullgarisë, Borisov ka kërkuar ndryshim, duke e paralajmëruar Federatën e Futbollit vendore se nuk do të marrë asnjë financim deri në momentin kur disa figura të caktuara të largohen nga hierarkia.
Ministri i Sportit i Bullgarisë, Krasen Kralev, ka thënë: “Para pak kohësh, kryeministri më thirri urgjentisht. Ju e dini se gjatë katër vjetëve të fundit, qeveria ka bërë shumë për ta zhvilluar futbollin bullgar”.
“Por, pas ngjarjeve të fundit, duke e pasur parasysh situatën e plotë të futbollit, kryeministri më ka urdhëruar që nga sot t’i suspendojë të gjitha lidhjet me Federatës, përfshirë këtu ato financiare, deri në dorëheqjen e Borislav Mihaylovit”.
Tani është bërë e ditur se Presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë e ka përmbushur kërkesën e Kryeministrit të vendit dhe së shpejti do të bëhet i ditur edhe zëvendësuesi i tij.