Thoshin s’ka sanksion që s’ia vlen për ta ndalë Asociacionin, tash kemi edhe Asociacion edhe sanksione
Analisti Visar Ymeri thotë se se sanksionet që i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Evropian nuk i kanë sjellë asnjë përfitim Kosovës.
Sipas tij, krerët e shtetit dikur thoshin se “nuk ka sanksion që nuk ia vlen ta ndalë Asociacionin, e tani janë të dyja”.
“Sanksionet që i janë vendosur Kosovës për shkak të sjelljeve tona po i bie që i kemi bërë pa kurrfarë përfitimi. Thoshin nuk ka sanksion që nuk ia vlen për ta ndalë Asociacionin, tash kemi edhe sanksion edhe Asociacion”, u shpreh ai.
Ymeri tha në RTV Dukagjini shpreson se krijimi i Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe nuk është çmimi që do të paguhet për sjelljen e krerëve të shtetit gjatë tërë vitit.
“Shpresojmë që ky Asociacion nuk është çmimi që do ta paguajmë për sjelljen tonë gjatë këtij viti ose në diçka që ka ndodhur prej nëntorit të vitit të kaluar. Lajçak ka deklaruar se këto pengesa, këto formalitet nuk bën të jenë pengesë në zbatimin e marrëveshjes, po e quan atë që ka kërkuar Kurti formalitet gati se të panevojshëm. Përmbajtësisht Kurti ka thënë vetë se i ka pranuar të gjitha. Ata në këtë proces kaq të ndjeshëm e kaq serioz duhet të jenë më të kujdesshëm me fjalët që i thonë”.
“Vendimi për targat që është shtyrë është saktësisht 1 vjet pas problemit të parë të hapur që e ka pasur Kurti me Bashkësinë Ndërkombëtare për të njëjtën çështje, dhe kërkesa e SHBA-së, sugjerimi ka qenë shtyrja e procesit, ne kemi thënë jo e mandej e kemi shtyrë më shumë. Kemi thënë nuk e shtyjmë vendimin për targat për 10 muaj, e kemi shtyrë për 13 muaj, e ka gjasë të shtyhet prapë. Nuk e bëjmë kurrqysh Asociacionin, e tash po e bëjmë Asociacionin siç na kërkojnë”, u shpreh Ymeri.