Thyhen kampionët e NBA, Minnesota mban kreun në Perëndim, Detroit 18 humbje rresht
NBA është rikthyer për të luajtur ndeshjet sipas kalendarit, ku spikati humbja e kampionëve të fuqi të Denver, që u mundën 111-102 nga Los Angeles Clippers. Nikola Jokic realizoi një “triple double”, me 22 pikë, 15 rebound e 10 asist, por që nuk mjaftuan për të fituar.
Për Clippers u dallua Paul George me 25 pikë. Kjo ishte humbja e dytë rresht për Nuggets, që gjithsesi mbajnë vendin e tretë jo shumë larg kreut. Ndërsa skuadra kaliforniane ngjitet në vendin e nëntë.
Është Minnesota që ruan kreun e renditjes në Perëndim, pasi mundi 102-94 San Antonio, sfidë ku vendosi kolektiviteti i ekipit vendas, ku 6 lojtarë realizuan me mbi 14 pikë. Dy shënuesit më të mirë ishin nga radhët e Spurs, por që nuk arritën t’i jepnin fitoren skuadrës së tyre.
Rikthehet te fitorja skuadra e Golden State, që mundi 110-106 Portland Trail Blazers pas një loje të ekuilibruar deri në fund. Stephen Curry me 31 pikë ishte lider në fushë për Warriors, që gjithsesi janë shumë poshtë në renditje, në vendin e 11-të, larg pretendimeve të zakonshme.
Fiton edhe Memphis Grizzlies, që mundi në transfertë 116-102 Detroit, ndeshje ku diferencën e bëri Bane, autor i 49 pikëve. Skuadra e Pistons është më e dobëta e këtij sezoni, me vetëm 2 fitore dhe 19 humbje, 18 janë radhazi.