Ti cimeri im bëre atë që nuk e bënë qindravjeçarët
Shkruan: Izmi Zeka
Ti, shoku im, Hashim Thaçi atëherë kishe vetëm një ëndërr… Kur të njoha ishim në vitet e hershme studentore. Qemë fare të rinj dhe ëndërrimtarë… Ëndrra jonë mori përmasa reale, ngase rritej pjekuria krahas rritjes së represionit jugosllav mbi qenien tonë. Përshkallëzimin e shtypjes nuk e zmbrapsën protestat me mjete paqësore… Realiteti hynte në ciklin më të vrazhdë të dhunës; atëbotë shoku im hyri në shtegun e ngushtë e të zjarrtë: përballjen me Serbinë, me makinerinë e saj vrastare, deri te akti heroik i tytës me tytë! Dikush kishte ëndrra tjera… Mësymjen e këtij djaloshi, me shokë të ngjizjes së atillë, me tytën e drejtuar Serbisë gjakatare, po ashtu, dikush do ta konsideronte “aventurë” të rrezikshme dhe fatale!
Mirëpo, miku im i viteve të 90-ta ishte i ri dhe, ëndrrat e trimërisë ia kishin flakur frikën. Ishim të ri dhe e përzumë frikën prej shpirtit tonë. Ëndrrat tona në Universitetin e Prishtinës kishin marr kahe drejt çlirimit të Kosovës. Ti, shoku im, Hashim Thaçi atëherë kishe vetëm një ëndërr: Shqipëria e bashkuar! Ëndrra jote ishe ëndërr e thyerjes së zgjedhës, ëndërr e përzënies së regjimit të egër serb; ëndërr e shporrjes njëherë e përgjithmonë të atij regjimi të urryer antinjerëzor dhe antishqiptar.
Ti ishe studenti më i mirë aso kohe, student i degës së përbashkët të studimit në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ti ishe ai djaloshi i qetë e fjalë pak. Doje vetëm një madhështi: lirinë për kombin tënd!
Për ty Hashim liria nuk kishte kompromise. Ishin vitet e rinisë, kur një pjesë e të rinjve bënte jetën kafeneve të Prishtinës, pa e prishur rahatinë për ëndrra lirie, por liri për ta ishte “mirëqenia” individuale, paraja e veturat luksoze?!
Ti, shoku im, bëre atë që pak kush do ta kishte menduar se mund të bëhej, madje as të merrej me mend se do të bëhej…
Ti nuk e durove kompromisin për lirinë e Kosovës! Ti shoku i brezit tim: i gjatë e thatanik, kishe zgjedhur rrugën e të papriturave të skajshme; zbrazjen e mizorisë më të zezë…! Hyre asaj rruge kur ditët mund të përfundonin shumë shpejt për Ty dhe, jeta, qëllimet e paravëna me bashkë-veprimtarë të tjerë, do të kishin tretur me gjithë ëndrrat djaloshare. Sido qoftë Ti, shoku im, edhe kur mbarove studimet, si student i dalluar, student prorektor, bashkë-dyzove historinë me dhimbjen shqiptare.
Ato vite të rënda “tunxh”, sikurse shprehej bacë Esad Mekuli, ne kishim edhe ëndrra tjera. Gjithsesi koha kërkonte diçka tjetër… Ti nuk u ndale kur të tjerët ndaleshin rrugës. Ishte rrugë e gjatë me rreziqe, kur çizmet e zeza shkelnin qyteteve e fshatrave të Kosovës; Ti e kishe flakur tej tuten. Ashtu i heshtur vrapoje anekënd Kosovës e Shqipërisë…Ti dhe shokët tuaj kishit një mision vigan…
* * *
Shoku im… Ishe njëri nga ata, që mëtoje t’i jepje fund kapitullit të tiranisë, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ti bëre ndryshimin e epokave!… Çka mund të japësh më shumë se sa jetën?! Jetën për çdo ditë ta vësh në peshoren e vdekjes! Ti e bërë këtë për çdo ditë, për çdo natë… Ashtu i ri, Ti edhe në Rambouillet e shkëpute Kosovën prej Lindjes dhe e ktheve kah Perëndimi.
Shoku im, edhe kur shtriu krahët e na përqafoi liria, ishe fare i ri… Kalove vite e vite që përveç lirisë, Kosovën ta bëje atdhe të gjithëve, ani pse disa kishin shkelur edhe mbi varre. E bëre vetëm për një qëllim, që liria mos t`i hajë bijtë e vet, edhe kur ata kishin dëmtuar popullin në kohëra të ndryshme…
Ti bëre sa nuk bëhet më… ti Kosovën e bërë të lirë të pavarur, demokratike.
Ty shoku im, t’i njoh edhe rrudhat e ballit dhe flokët e thinjura sprovave…
Ti bëre atë që qindvjeçarët nuk e bënë dhe na e gllabëronin përditshmërinë…
E njohe mirë Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, Traktatin e Fshehtë të Londrës, Konferencën e Paqes së Parisit, me një fjalë, Ti njohe botën se si funksionon. Ti ktheve një Evropë me fytyrë prej nesh, ashtu si ishte e brishtë e me mëdyshje… Ti i bëre dhuratën më të madhe për diplomacinë shqiptare, Kosovës ia lidhe aleancën me fuqinë botërore, Amerikën!
Shoku im i studimeve dhe i idealit. Sot je në Hagë. Përshtypja ime është se tashmë kemi të bëjmë me ndeshje qytetërimesh…
Qytetërimet në histori dinë të jenë të pamëshirshme në emër të humanizmit, të drejtave të njeriut e shkase tjera.
Shoku im, sikur atëherë kur viteve të 90-ta, bota nuk e kuptonte realitetin në Kosovë dhe gjenocidin serb, sot do ta kuptojnë e shohin , ngase Ti sërish do të jesh Ai, që vetë Evropën ta kthesh kah Perëndimi.
Mbase kjo fjali është me ngjyra metaforike, por Ti di të jesh i fundit, që ta përmbyllësh luftën e qytetërimeve.
Shihemi shoku im aty te amfiteatri, në Universitetin e Prishtinës, duke e parë botën jo si dikur…
Tash do të preferoja të takoheshim diku me veprat e Lasgushit dhe te shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë.
Shihemi aty ku e nisëm…