Ti falënderohu për gjendjen tënde!

20 korrik 2023 | 17:47

Nga: Aziz Nesin
Përktheu nga turqishtja: Fatijona Bajraj

Ka një muaj e gjysmë që kërkon shtëpi, por pronari i shtëpisë u ka thënë atyre:

– Në këtë kohë, dy dhoma kushtojnë 130 lira… Oh sa mirë… Ku mund të gjesh bollëk të tillë? Si dhe shtëpi të tillë?

Tavani me tjegulla Marsiljës dhe tualeti me gurë mermeri. Dyert me ngjyrë vaji. Sa mirë… Edhe unë po të gjej shtëpi të tillë për njëqind e tridhjetë lira do ta merrja për qejfi. Z. Shykry tha që tash dymbëdhjetë vjet jemi qiraxhi. Jam kujdesur për shtëpinë tuaj sikur të ishte shtëpia ime. Po të ishte shtëpia ime nuk do të kujdesesha kaq shumë për të. Tha që nuk ka shumë kohë që e kam lyer përbrenda, i kam rinovuar shkallet si dhe rrethojat mbrojtëse. Çfarëdo që tha ishte e pavlerë.

Zotëri Shykriu e dinte se pronari dëshironte t’i nxirrte jashtë me qëllim që t’ua rriste qiranë por, si do që të jetë, edhe po ta rriste më shumë se njëzet lira në muaj, nuk do ta rriste më. Tha ta bëjmë qiranë njëqind e pesëdhjetë lira. Pronari i shtëpisë qeshi dhe tha: 150 lira është shuma  që unë shpenzoj për duhan.

Zotëri Shykriu bëri një llogari të tillë. Nëse ai do ta linte pirjen e duhanit, do të kursente pesëmbëdhjetë lira në muaj. I tha pronarit të shtëpisë se keni të drejtë se shtëpia juaj në këtë kohë ka vlerë më shumë se njëqind e pesëdhjetë lira.

– Unë nuk jam njeri i pamëshirë. Më besoni se arsyeja që nuk po mund ta rris qiranë është që nuk kam para.

Pronari i shtëpisë u tha secili duhet t’i zgjasë këmbët aq sa e ka jorganin dhe, gjithashtu, u tha të dalin në një shtëpi që u përshtatet kushteve të tyre. Zotëri Shykriu po të gjente shtëpi sipas gjendjes së tij nuk do të qëndronte as dy minuta.

– Le të jetë 165 lira.

– Këto nuk bëjnë as sa shpenzimet e birit tim – tha pronari i shtëpisë duke qeshur.

Shykriu mendoi se po të shkonte në punë në këmbë do të mund t’i kursente njëzet lira në muaj dhe tha t’ia japë 185 lira.

– Me sa duket ju po talleni me mua. E dini apartamentin afër nesh. Dhoma të vogla, salloni i ngushtë, sa kushton? Treqind e pesëdhjetë lira. A jam unë i trashi i botës? Nuk jua jap nën treqind lira. Nëse ju dilni ua jap të tjerëve me katërqind. Dilni. Le të qëndrojë e zbrazët më mirë. Të paktën nuk vjetrohet – tha pronari i shtëpisë.

Zotëri Shykri i tha se, po t’i jap në muaj treqind lira nga të ardhurat mujore, për familjen e tij katëranëtarëshe mbesin vetëm tetëdhjetë lira.

Puna u zgjat deri në gjykatë. Pronari tha se do të qëndrojë vetë në shtëpinë time dhe fitoi padinë.

Zotëri Shykri një muaj kërkoi shtëpi. Ishte dimër. Nuk mund të mbetej rrugëve në mes të dimrit. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje në borë, shi e baltë kërkonte shtëpi. Nuk po mund të gjente shtëpi më të lirë dhe më të mirë sesa ajo në të cilën po qëndronte. Nuk mund të strehoheshin në shtëpitë që i gjente për dyqind lira.

Atë ditë i ishin nxirë këmbët nga lodhja e të kërkuarit shtëpi, si dhe ishte bezdisur nga të dhënit para tellallëve. Sikur nuk mjaftonin të gjitha këto, fillimisht shiu e me pas bora e lagu deri në palcë. Uji i kishte depërtuar në këpucë dhe këmbët ishin bërë qull. Në mbrëmje të reshurat kishin ndaluar, por rrobat e qullosura i ishin ngjitur për trupi.

– Nuk kam kujt t’ia tregoj dertin. Sikur të më dilte dikush para e t’ia tregoja dertet e mia, të paktën njeriu kur tregon dertet çlirohet – ofshante me të madhe e fliste me vete.

Nga andej po i vinte një shok që e njihte qysh moti. Kishte kaluar shumë kohë që kur nuk ishin takuar me Zakain. Mbase do të mund t’i ndihmonte të gjente shtëpi. Ose të paktën do ta zbrazte brendinë e tij.

–  Ooo, përshëndetje, Shykri!

– Përshëndetje Zekai i dashur. Çfarë ka të reja?

– Mos pyet fare. Çfarë ka të reja nga ti?

– Mirë e shëndosh.

Nëse shikohet në pamje, shoku i tij ishte me dertli sesa ai.

– Prej nga vjen? – e pyeti Zekai.

Shykriu, pasi që ishte i gatshëm ta zbrazte brendinë qysh moti, filloi e tha:

– Ore, vëlla kam një dert të madh. Ka një muaj që kërkoj shtëpi. Pronari i shtëpisë po na nxjerrë nga shtëpia. Sot përsëri kam kërkuar shtëpi deri në mbrëmje. Shiu dhe bora më kanë depërtuar brenda. Shiko se si dridhem. Mirë nëse nuk sëmu­rem…

Pasi që u hap biseda, thuajse të gjitha brengat do t’i rrëfente. Por shoku Zekai e ndali dhe i tha:

– Ti falënderoje Zotin për gjendjen tënde. Po të ishe në vendin tim çfarë do të bëje? Ah more vëlla, në këtë kohë është problem të ndërtosh shtëpi. Nuk e di, a e di ti? Pata blerë një truall. Edhe të kërkosh dhe të blesh truall është problem. Nejse, t’i lëmë këto. Kemi zbritur çmimin në nëntëdhjetë mijë lira…

– Kështu pra, i dashur Zekai. Pronari i shtëpisë po na nxjerr nga shtëpia. Ka marrë vendim edhe gjykata – tha Shykriu.

– E bleva truallin. Kaluan dhjetë ditë. Ka blerës të tillë që janë në gjendje të paguajnë edhe njëqind e pesëdhjetë mijë, madje dyqind e pesëdhjetë mijë. Po u them se nuk e shes, por ata nuk më hiqen qafesh. Ti falënderohu për gjendjen tënde!

– Ke të drejtë, vëlla. Më pas e rrita qiranë në njëqind e tetë­dhjetë e pesë lira.

– Sikur të ishte derti im njëqind e tetëdhjetë e pesë, një mijë e tetëdhjetë e pesë. Ti për një që e ha, falënderohu një mijë herë. Thamë që ta ndërtojmë një shtëpi dykatëshe në këtë truall. Është shumë e vështirë të merresh me punëtorë e mjeshtër në këtë kohë, ore vëlla. Nuk e di ai që nuk e ka provuar. Sado që ia tregon është e kotë. Qëllimi im është që të ndërtoj shtëpi dykatëshe porsi kuti, në çdo kat nga tri dhoma dhe një sallon. Ah, çfarë kam hequr Shykri. Ende jam duke hequr.

– Mjerë, mjerë, i dashur Zekai. Zotëria i shtëpisë po na thotë neve që të dalim nga shtëpia. Kam shpenzuar paranë e botës për atë shtëpi. Muri i tualetit ishte prishur dhe kam investuar pesëmbëdhjetë lira në të.

– Rri i qetë, o vëlla e falënderohu për gjendjen në të cilën je. Ti prapë mirë je. Sikur të tentoje ta ndërtoje shtëpi sikur unë. Gruaja më tha se pasi dëshiron të ndërtosh shtëpi, atëherë bëje një apartament trekatësh e le të na hyjë në punë. Kemi gërmuar themelin. Qysh me fillim shpenzova katër dhjetë mijë lira. Njeriu nuk ia kupton hallin tjetrit.

– Të shkuara, Zekai! Jam ftohur aq shumë saqë më ka depër­tuar të ftohtit gjer në mushkri. Dola në rrugë në mëngjes, ende pa aguar. Ende jam në kërkim të shtëpisë. Vetëm sot u kam dhënë tellallëve pesëmbëdhjetë lira.

– Kjo nuk është asgjë, zotëri Shykri. Çdo gjë është në treg të zi. Për besë vetëm për xhamat e dritareve kam shpenzuar dy mijë lira. Kanë mbetur ende xhamat e dyerve dhe xhamat ndarës. Ti ende mirë je. Falënderohu tërë kohën për gjendjen tënde! Sikur të tentoje të ndërtosh shtëpi, atëherë do ta shihje çfarë është. Gruaja ime tha që pasi që po ndërton apartament, bëji nga dy banesa në çdo kat. E pashë se kishte të drejtë. Filluam ta ndërtojmë apartamentin. Derisa unë po të tregoj të duket e lehtë. Assesi nuk më vjen, vëlla i dashur. Kush e di se çfarë ke hequr.

– Kam gjetur një shtëpi në Aksaraj. Një dhomë dhe një hajat. Jemi në pajtueshmëri, çfarë të bëjmë, edhe po të jetë larg nga puna. Nisem herët në mëngjes. Mund të them që qiraja është e lirë, njëqind e shtatëdhjetë e pesë lira. E kursejmë edhe ushqi­min nëse është nevoja dhe e paguajmë. Veçse kërkon avanc për gjashtë muaj.

– Ah bre, Shykri, ti po mendon që ke dert. Ore ty nuk po mund të ta shpjegoj. Kërkoj hekur s’ka, kërkoj çimento s’ka. Çfarë kam hequr unë, çfarë?! Ti pasi që nuk ke ndërtuar shtëpi, nuk e di këtë dert. Nuk e di, o vëlla, nuk e di.

– Pra vëllai im, Zekai,  mund ta kuptosh që këtë dimër e kia­met mbetem rrugëve.  Falënderohu vëllai im, falënderohu! Pro­nari i shtëpisë po na nxjerr prej shtëpisë pas dy dite. Të të them diçka, ti ulu dhe falënderohu për gjendjen tënde.

– Mu kur ndërtuam tre kate dhe po mbulonim çatinë, vjehrra më tha: Zekai i dashur, ndërtoji edhe dy kate sipër kësaj. Ke fëmijë. Nesër e pasnesër luten për ty. Merru me mjeshtër, me punëtorë, si dhe me komunën. Ti përsëri je mirë. Të paktën ti nuk ki një dert të tillë.

– Jo, Zekai.

– Falënderohu!

– Qoftë shyqyr! Nuk e di çfarë të bëjmë. Kemi disa gjësende e rroba të vjetra. Po të mos ishin ato, do të zvarriteshim nëpër qoshe të hoteleve.

– Të të them diçka. Të zvarritesh është më mirë sesa të ndër­tosh apartament. A pak po heq unë? Të bindtë Zoti!

– Po të besoj, vëlla. Është e vërtetë.

– Ti kënaqu me gjendjen tënde!

– I kënaqur jam, shyqyr. Po t’i shesim gjësendet, përsëri na duhen. Më pas nuk mund t’i zëvendësojmë. Madje na shkon për hiç. Le të shkoj! Nuk po them gjë. Le të shkoj!

– Ndërtuam edhe katin e pestë të apartamentit, por vetëm unë edhe Zoti e di çfarë kam hequr. Më pas, i dashuri im, im vëlla tha që sidoqoftë këtë apartament e ke ndërtuar, ta bëjmë sipër kësaj edhe një kat në të zezën, pa leje. Të gjithë këto kohë po bëjnë njëjtë. Më së paku në muaj mund t’ia nxirresh katërqind-pesëqind lira në muaj. Ah, sa e vështirë qenka vëllai im! Sa e vështirë qenka të ndërtosh kat pa leje në këtë kohë. Shpenzo aty, shpenzo këtu. Më shkuan mua dhjetë mijë lira. Ti nuk je në dijeni për këto. Për atë e mendon vuajtjen tënde si dert. Unë po të isha në vendin tënd, do falënderohesha ditë e natë.

– Ke të drejtë, Zekai i dashur.

– Po të kisha mundësi, nuk do t’i lija fëmijët në mes të rrugës këtë dimër. Paguaj për gjashtë muaj dhe e ke kokën nën çati.

– Për besë, nuk kam.

– Të mos kesh është më mirë sesa të kesh. Të ndërtosh apar­tament… Pa nevojë i kemi hapur vetes telashe. Nëse nuk e lloga­ritim truallin, apartamenti na ka kushtuar gjashtë qind mijë lira. Më pyet mua se çfarë kam hequr. Medet! Medet! Më shiko mua edhe falënderohu për gjendjen tënde!

– Shyqyr Zotit, nuk kam asnjë ankesë. Vetëm se në mes të dimrit do të mbetemi rrugëve, i madh e vogël. Nuk kam ndonjë ankesë tjetër.

– Aman, mos u anko sepse e hidhëron Zotin. Shiko gjendjen time dhe merr mësim, o vëlla. E përfunduam apartamentin. Këtë herë disa njerëz na dolën para dhe thanë që gjithsesi na shit neve. Ore, mos e shit! Të japim një milion. Edhe po të më jepni dy milionë nuk e shes. O vëlla, është dert i tillë që Zoti as hasmit mos ia dhashtë!

– Nuk mund të qëndrojmë si mysafirë për kohë të gjatë te farefisi. Në këto kohë askush nuk po mund ta mbaj as veten e tij. Është e pamundur të mos çmendesh.

– Të çmendesh është shumë më mirë. Ti nuk e di çfarë do të thotë të jesh pronar i apartamentit. Po flet kot. Ajo çfarë duhet të bësh ti është të falënderohesh në pesë kohë.

– Tani vëllai im, na doli edhe një dert tjetër, qiraxhiu. Ti s’e di çfarë do të thotë derti i qiraxhiut në këtë kohë. Zekai i dashur, ti ke më shumë brenga sesa unë.

– A është dert ky yti? Për Zotin, ti falënderohu për gjendjen tënde.

– Shyqyr qoftë mijëra herë, shyqyr!  Kërkoj leje! Zoti ua lehtë­softë juve, Zekai. Mirë mbetsh!

– Me të mira, Shykri!  Më shiko mua dhe falënderohu për gjen­djen tënde, Shykri.

Shukriu u kthye në shtëpinë e tij duke u kollitur e teshtirë.  Kishte edhe temperaturë. Gruaja e tij e pyeti:

– A gjete shtëpi?

– Aman grua të falënderohemi për gjendjen tonë. Ka keq e më keq. Po sikur të provonim të ndërtonim apartament. A e di ti se çfarë derti është të jesh pronar i apartamentit në këtë kohë. Të falënderohemi tërë kohën për gjendjen tonë!

Marrë nga numri 17 i revistës “Akademia”/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ikona e filmave aksion, Jean-Claude Van Damme është duke qëndruar…