A do t’i hyjë garës për kryeshef të Telekomit Shyqyri Haxha?
Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, ka folur për situatën e krijuar së fundi në këtë kompani.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ka marrë shumë mesazhe që ai të rikthehet për ta drejtuar Telekomin, duke i hyrë garës për kryeshef.
Haxha ka thënë se është i gatshëm që të jap kontribut për Kosovën, por kësaj herë thotë se situata është shumë më ndryshe pasi është i angazhuar në një Universitet me renome botërore në Britani të Madhe. Megjithatë, thotë se është i aftë për ta kthjellur Telekomin, raporton “Epoka e re”.
“Dua t’ua kujtojë edhe një fakt se PTK-ja ka qenë në situatë pothuajse të ngjashme edhe në fund të vitit 2008. Por e kemi nxjerr nga humnera dhe kompania ishte kthjellur”, ka treguar ai.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar të gjithë juve që keni shpreh dëshirën dhe përkrahjen tuaj që unë ti hyj garës për drejtor ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, dua së pari që t’ju falënderojë përzemërsisht për përkrahjen dhe ftesët tuaj shumë të sinqertë. Ndihem i privilegjuar kur shoh kaq shumë përkrahje të sinqertë. E kuptojë plotësisht shqetësimin dhe kërkesën tuaj duke marrë parasysh situatën tepër të vështirë që kjo kompani është sjell qëllimisht. Dikush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe nuk duhet lejuar që të i iku përgjegjësisë assesi! Është e dhimbshme kur dëgjojmë se një kompani që dje ishte lidere në rajon sot është ‘buze varrit’
Por, dua t’ju kujtojë edhe një fakt se PTK-ja ka qenë në situatë pothuajse të ngjashme edhe në fund të vitit 2008. Por e kemi nxjerr nga humnera dhe kompania ishte kthjell. Pothuaj i ngjashëm ka qenë opinioni rreth kësaj kompanie edhe kah fundi i vitit 2008. Ne vitin 2011 e kam lënë këtë kompani në një gjendje shumë të mirë, pa borxhe dhe me një rritje fantastike, kurse sot Telekomi është para falimentimi. Analizat ‘huqe’ të pseudo-ekspertëve se kinse T-Mobile ka qenë i interesuar ta privatizojë PTK-në është një shpifje e madhe. Jam në gjendje që publikisht t’i ballafaqojë këta profiterë politikë të momentit.
Personalisht dua që t’ju konfirmoj se angazhimi im dhe i familjes sime për Kosovë nuk ka munguar kurrë dhe nuk do të mungojë asnjëherë. Për mua Kosova është mbi të gjitha, bile kur është fjala për ndihmë të sinqertë dhe me ‘besa-besë’ për Kosovën nuk me duhet shumë kohë të mendoj, mjaftojnë sekondat të vendos dhe t’i hyjë kësaj pune dhe kurrë nuk i bie pishman. Këtë e kam dëshmuar edhe në vitin 2008.
Por, situata sot është shumë më ndryshe, besoj se të gjithë pajtoheni se nuk kam nevojë personale e as familjare të kthehem apo t’i hyjë garës për drejtor të Telekomit sepse kundërshtimet nga disa individë dhe grupe të interesit janë shumë të mëdha, e kam parasysh këtë fakt. Suksesi ynë e ka penguar dikë në Kosovë, kjo për mua ka qenë dhe ende mbetet enigma më e madhe, PSE? Kujt i pengoj rritja dhe zhvillimi i PTK-së/Telekomit. E vetmja rritje në histori të PTK-së në kushte të konkurrencës (2009-2011).
Kërkesa dhe thirrjet tuaja për rikthimin tim në këtë kompani tash me kanë vënë në pozitë shumë të vështirë, sepse unë sot punoj në një Universitet me renome botërore dhe kjo është puna që gjithmonë kam ëndërruar, nuk ka as pagesë, as punë që e dua me shumë se kjo punë që jam duke bërë tash në Britani të Madhe. Sot, pothuajse jam në kulmin më të madhe të suksesit në nivel ndërkombëtar.
Gjithashtu, dua që të konfirmoj se, unë ju garantoj të gjithë juve edhe të gjithë atyre skeptikëve se jam 100% i sigurt se kam mundësi, eksperiencë, kapacitet dhe guximin intelektual që ta kthjelli këtë kompani. Kam mundësi që kësaj kompanie t’ia kthej dinjitetin siç ka qenë, bile tash ta reformojmë në një brend komplet të ri dhe me një trend zhvillimor të paparë në rajon. Këto fjalë që po i them këtu nuk janë të lehta dhe duhet guxim për të marrë një përgjegjësi dhe barrë publike rreth një kompanie që është komplet e ‘minuar’ të kolapsuar.
Sot, fjalën për zgjedhjen dhe angazhimin e menaxhmentit të ri, përfundimisht, duhet ta thonë punëtorët e Telekomit dhe Postës. Stafi i Telekomit dhe Postës duhet përfundimisht t’i i dalin Zot kësaj kompanie….Qeveritë vijnë dhe shkojnë, dhe pothuajse çdo qeveri apo thënë më mirë çdo parti politike mban një dozë të përgjegjësi për degradimin e kësaj kompanie. Sot si kurrë me pare duhet një konsensus ndërpartiak që asetet kombëtare siç janë Telekomi, Posta, Trepça, KEK të mbrohen me sakrificën më të madhe. Këto janë pasurit e Kosovës që politika përfundimisht duhet të ndërroj qasjen dhe angazhojë menaxhment konsensual që nuk do t’i shërbej ASNJË partie, ASNJË individi, ky menaxhment duhet t’i shërbejë Telekomit, dhe Kosovës dhe ASKUJT tjetër. Respekt