T’I IKËSH KASAPHANËS!

01 maj 2023 | 13:23

Shkruan: Besnik Krasniqi

Ishte dita e s’e di satë që e plaknim në mal, meqë në disa shtëpi të fshatit tonë të boshatisur, militarë e paramilitarë të Serbisë ishin stacionuar. Dhe, atë ditë unë do të isha dëshmitar i një spektakli me bomba.

Në kompleksin e Ferronikelit që ndodhet në periferi të Drenasit, Milosheviqi kishte stacionuar arsenal të madh ushtarak. I shihnim. Ofensivat famëkeqe që ndërmerreshin në Drenicë, thuajse nisnin gjithmonë nga aty.

NATO-ja e dinte për këtë. Dhe, një nga 78 ditët e fushatës për ta gjunjëzuar regjimin serb, e kishte rezervuar për të kryer punë në kompleksin e Ferronikelit. Por, nuk e di pse një ditë përpara se të ndodhte kjo, pjesë e madhe e makinerisë vrastare ishte tërhequr nga kompleksi.

Kur ra bomba e parë e NATO-s, nuk e pashë. As të dytën dhe as disa të tjera që u lëshuan në nisje të sulmit. Vetëm i dëgjonim shpërthimet, që dukej se burimin e kishin jo më larg se pak metra prej nesh. Por, kur na mbërriti lajmi se Ferronikeli po sulmohej, shkuam drejt pishave, nja një kilometër larg prej ku qëndronim në ditët e luftës. Aty tani kishim pozicion tamam kinemaje për ta parë  filmin me bomba. I pamë aeroplanët që fluturonin lartë, i pamë bombat që binin, i pamë momentet e shpërthimit, e i pamë edhe shumë ushtarë serbë që orvateshin të iknin.

Shfaqja zgjati me orë, por kur muzgu ishte afër mbërritjes, serbët nxorën nga kompleksi i Ferronikelit atë pjesë të arsenalin që e kishin brenda dhe që iu kishte shpëtuar.

Kur nata mbërrinte, ne linim malin dhe lëshoheshim në shtëpi për ta përgatitur bukën për ditën që do të pasonte. Gatuanim vet. Thuajse çdo natë gjenim ndonjë ve për ta fërguar a zier. Ndonjëherë edhe ndonjë pulë. Nëse nuk e gjenim as njërën e as tjetrën, kjo i binte që të nesërmen bukën ta hanim me krip.

Natën pas spektaklit me bomba, mua dhe kushërinjve me të cilët i kalonim ato ditë lufte, baba na tha ta bënim bukën shpejt dhe të ndërronim lokacion gjatë natës. Pra, t’i braktisnim malet e fshatit. Tha ta kalojmë natën magjistralen Drenas-Skenderaj, dhe të shkojmë tek nipat që i kishim në Tërdevc, një fshat me qasje në male më të mëdha. Baba na tha që nuk na kishte mbetur vend në malet rrëze fshatit, pas sulmit të NATO-s në Ferronikel. Ai e parandiente se serbët do të hakmerreshin.

Dikush nga kushërinjtë nisën ta tallnin. I tha se po frikësohej.

Baba e pranoi. Tha se po frikësohej për të rinjtë, që ishim jo pak. Dhe, kurrë më këmbëngulës nuk ishte, sesa atë natë: “Unë djalin po e marr dhe po nisem! Kush doni, hajdeni!”.

Disa u nisëm, por jo shumë. Shumica mbetën në malet e fshatit tonë, Gllanasellë, e të cilat krijojnë lidhje me fshatin Vërbovc.

Ishin orët e para të datës 30 prill 1999 kur ndërruam lokacion. Pa i dhënë fund rrugës këmbë diku 10-kilometërshe, e kuptuam se baba kishte të drejtë. Qysh pa lindë dielli, makineritë serbe ishin ndezur. Disa të shtëna të lehta i dëgjuam, teksa kishim kaluar magjistralen, pas së cilës mendonim se ishim më të sigurtë. E, pa mbërritur tek nipat, nisën të dëgjoheshin edhe granatimet.

Serbët rëndom e granatonin paraprakisht lokacionin ku synonin të mbërrinin më pas.

Që nga mëngjesi, granatuan malet ku përpara asaj dite i plaknim ditët. Ishim jo pak. Në malet që e bënin grykën e Vërbovcit, ishin të strehuar mijëra meshkuj, kryesisht civilë.

Ofensiva e asaj dite la shumë të vrarë. Mes tyre, disa të lagjes sime. Nga fshati shumë më shumë. Mbi 100 u vrarë atë ditë në luginë dhe në malet përreth, ndërsa u morën peng diku 300 të tjerë, shumica nga të cilët u ekzekutuan pastaj. Ata ishin mbajtur në xhaminë e Qirezit, ku i ishin nënshtruar torturave. Të nesërmen, shumë nga ta serbët i ngarkuan në kamionë të ushtrisë dhe i bartën deri në fshatin Qikatovë e Vjetër, në lokacionin “Te Shavarinat” – një skëterrë e krijuar pas nxjerrjes së xehes së Nikelit. Aty ishin ekzekutuar. Një bashkëfshatar ka shpëtuar dhe mbetet dëshmitar i masakrës prej më të mëdhave në Kosovë. Grupe të tjera ishin ekzekutuar diku tjetër dhe ende ka të pagjetur.

Kasaphanës do t’i ekspozohesha sikur baba të mos bëzante dhe të mos na zhvendoste në pjesën tjetër të Drenicës. Ndoshta do të isha mes të vrarëve. Ndoshta mes të zhdukurish. Ndoshta edhe kisha shpëtuar. S’i dihet. Por, falë babës, kasaphanën e shmangëm. Prandaj, i falem përgjithmonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…