T’i mbrojmë vlerat dhe gjuhën tonë duke ndërtuar shtetin dhe ligjet

05 janar 2025 | 11:14

Shkruan: Astrit Gashi

Viti 2025 ka nisur me sfida të mëdha dhe kritika të ashpra ndaj atyre që kanë tradhtuar besimin dhe sakrificat e popullit, pa dallim përkatësie etnike apo politike. Një shprehje popullore thotë: “Do të paguash për mëkatet e tua,” duke nënkuptuar se gjithçka ka një çmim, por çmimi i tradhtisë ndaj atdheut është më i larti dhe më i rënduari. Të mbrosh ata që kanë përndjekur, persekutuar dhe vrarë shqiptarët, e më pas të quash veten patriot, është jo vetëm një çmenduri, por edhe një njollë që nuk e lan dot as lumi i Vardarit.

Për dekada me radhë, pushtetarët, pa përjashtim, kanë vënë interesat e tyre personale mbi interesat e popullit. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha trojet shqiptare kanë paguar një çmim të lartë për ambiciet e njerëzve me integritet të ulët dhe me aftësi të kufizuara, që shpesh vepruan nën maskën e “të mirës publike.” Këto lojëra të pista kanë sjellë varfëri, përçarje, zhgënjim dhe një popull të lodhur që kërkon me ngulm drejtësi, dinjitet, gjuhë dhe prosperitet të mirëfilltë. Ne duhet të krijojmë perspektivë në vendin tonë, që rinia jonë të qëndrojë këtu, sepse një vend pa rini është një vend që vdes!

Sot, më shumë se kurrë, kemi një thirrje dhe një kërkesë të qartë: të gjithë, pa dallim etnie apo bindjesh politike, duhet të mbrojmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë, më të ndershme dhe më të barabartë. Politikanët dhe figurat publike që kanë bashkëpunuar me regjime të korruptuara, që kanë shitur idealet e popullit për interesa personale, duhet të japin llogari. Nuk ka vend për ata që dikur ishin simbol i qëndresës dhe sakrificës, por sot janë bërë ortakë të shtypësve të popullit. Hipokrizia dhe tradhtia nuk mund të tolerohen më. Historia do të gjykojë pa mëshirë ata që shkelën mbi sakrificat për liri dhe drejtësi.

Le të hyjmë në vitin 2025 me shpresë dhe vendosmëri për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar, për të ndërtuar shtetin tonë të përbashkët dhe për të garantuar një jetë me dinjitet për brezat e ardhshëm. Le të jetë ky viti ku paqja, drejtësia dhe prosperiteti bëhen realitet – jo thjesht fjalë boshe në fjalime të thata.

Për ata që kanë harruar ndjenjën e turpit: tani është momenti për reflektim. Të ndjesh faj për gabimet e tua dhe të skuqesh për veprimet e padrejta është një shenjë e një ndërgjegjeje të shëndetshme. Vetëm përmes reflektimit dhe transparencës mund të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në ndershmëri, drejtësi dhe besimin e ndërsjellë.

E fillojmë këtë vit duke kujtuar mësimet e të kaluarës dhe duke parë drejt të ardhmes me shpresë për ndryshim. Le të jetë ky një vit që sjell besim në vetvete, unitet dhe përkushtim ndaj vlerave më të larta të kombit tonë.

Të gjithë së bashku, le t’i shpallim luftë antivlerave dhe të mbrojmë me krenari traditat, gjuhën, dinjitetin dhe të ardhmen tonë. Të fillojmë vitin 2025 duke menduar për secilin, kudo ku jeton, në secilën pjesë të vendit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka ekspozuar një…