T’i shtojmë veprat e mira në këtë muaj

23 prill 2020 | 11:38

Para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, myftiu Naim Tërnava sot me një videomesazh nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës u ka bërë thirrje besimtarëve që, meqë ky Ramazan po nis në kohën e pandemisë COVID-19, t’i respektojnë vendimet e institucioneve shëndetësore, duke qëndruar në shtëpi dhe iftaret t’i bëjnë në shtëpi, raporton “Epoka e re”.

“Sonte është nata e madhe e Ramazanit, që edhe praktikisht besimtarët myslimanë nisin muajin e madhëruar të muajit Ramazan. Ky muaj fillon me faljen e teravive e që sivjet jemi të privuar përkohësisht nga ky ibadet për ta kryer në xhamitë tona si pasojë e pandemisë”, tha Tërnava.

Ai tha se Ramazani është një prej pesë shtyllave të islamit. “Po e nisim ramazanin me ibadetin se fundi i tij do të na gjejë në xhamitë tona, në shkollat e punët tona. Ramazani është një nga pesë shtyllat e islamit që bëhet vetëm për Zotin. Gjatë këtij muaji besimtarët janë më solidarë e më besimtarë. Agjërimi, përveç që është sakrificë, edhe na mëson të jemi më fisnikë”, tha Tërnava.

Ai ka bërë thirrje për bashkim. “Në këtë kohë pandemie na duhet më shumë se kurrë bashkimi. Kërkohet nga ne që gjatë këtij muaji t’i shtojmë veprat e mira, tolerancën. Kulturë në Ramazan janë edhe vizitat për iftar, por bëj thirrje t’i shmangim vizitat e iftaret te njëri-tjetri. Ju lus t’i bëni iftaret nëpër shtëpitë e juaja, duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore”, tha Tërnava.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shitja e automobilave në tremujorin e parë në krahasim me…