Tifozët e Arsenalit tallen me Mustafin
Fitorja e Liverpoolit kundër Arsenalit pati shumë të veçanta, por Shkodran Mustafi sigurisht do të kërkojë ta harrojë një moment të caktuar nga kjo ndeshje, autogolin për shkak të cilit është bërë objekt talljeje i tifozëve të vet.
Qendërmbrojtësi shqiptar Mustafi shënoi në portën e vet në një ndeshje dramatike me plot dhjetë gola në barazimin 5-5 në kohë të rregullt në “Anfield”.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë e futi topin në rrjetën e portës së vet në përpjekje për ta larguar rrezikun në minutën e gjashtë të ndeshjes, pasi në vend se ta përdorte këmbën e majtë, më natyrale në atë rast, e përdori të djathtën, të parapëlqyerën e vet.
Arsenali luftoi fort dhe ishte buzë kalimit në çerekfinale, por një gol i vonshëm i Divock Origit në minutën e 94-të, e shpëtoi Liverpoolin nga eliminimi dhe bëri që fituesi të vendosej në penallti.
Dani Ceballos ishte lojtari i vetëm i Arsenalit që dështoi nga pika e bardhë, derisa të gjithë pesë lojtarët e Liverpoolit shënuan, duke e dërguar skuadrën e Jurgen Kloppit në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5-4 në penallti.
Pas përfundimit të ndeshjes, Mustafi u bë objekt talljeje në rrjetet sociale, me tifozët e Arsenalit që nuk treguan aspak mëshirë për shqiptarin. Carabao Cup ishte ndër garat e vetme ku Mustafi kishte shansin të luante, duke qenë në Unai Emery nuk e ka ftuar as si rezervistë në ndeshjet e Premierligës këtë sezon.
Shqiptari i ka vetëm pesë paraqitje deri tani këtë sezon për Arsenalin, tri në Ligën e Evropës dhe dy në Carabao Cup “Ky është Mustafi klasik. Mirë se u ktheve”, shkroi një përdorues në Twitter. Një tjetër shkroi: “Mustafi është legjendë e gjallë. Çfarë goli”.
Një përdorues tjetër pati një koment edhe më interesant për shqiptarin: “Mustafi është si gjithë ne. Shënoi autogol me qëllim për të na e sjell një trajner të ri. Ai një topçi i vërtetë. Ky është mbrojtësi im”.