Tifozët e Buduçnostit para nisjes për në Kosovë: Po shkoj në tokën e Serbisë
Provokimet nga tifozët e Buduçnostit nuk kanë të ndalur. Tifozët e quajtur “Varvari”, para nisjes për në Kosovë e kanë shpalosur një baner provokues, në të cilin shkruan: “Po shkoj në tokën e Serbisë”, ndërsa e kanë shkruar edhe datën e ndeshjes.
Këta tifozë e kanë shfaqur ditë më parë një hartë, në të cilën e kishin futur Kosovën në Serbi.
Ata bënë thirrje nacionaliste dhe shfaqën pankarta dhe shkrime kundër shqiptarëve dhe duke i përqeshur ata, edhe në ndeshjen e parë që u zhvillua në Podgoricë javën e kaluar. Pra, tifozët malazezë e kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre fizike në stadiumin “Fadil Vokrri” nesër mbrëma, në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Conference League.
Nga ana tjetër, tifozët shqiptarë po bëhen bashkë për të qenë prezentë në stadium në përkrahje të Llapit, në një ndeshje që po i kalon përmasat e futbollit.