Tifozët problematik nuk kanë vend në Bayern
Ngjarja e ndodhur në fundjavën e kaluar në Hoffenhaim ka tronditur shumë opinionin publik dhe për më tepër skuadrën e Bayer Munchen. Ofendimet në kor ndaj presidentit Hop bënë që lojtarët e të dyja skuadrave të luanin 10 minutat e fundit vetëm duke pasuar në fushë, duke i lënë të nënkuptohej se nuk bëhej më fjalë për një ndeshje futbolli.
“Bavarezët” kërkuan falje për gjestin edhe pse përgjegjësit ishin tifozët ultras (jo të gjithë). Karl Hainz Rumenige u shpreh se klubi do të formonte një komision kundër urrejtjes në futboll për të hetuar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Dje në faqen zyrtare të klubit më të titulluar në Gjermani u shfaqën fotografi të lojtarëve, të cilët mbanin veshur një bluzë të bardhë me mbishkrimin: “Të kuqe kundër racizmit”. Ndërkohë, Rumenige u shpreh se: “Çdo rast që do të ketë lidhje me këtë temë, do të dënohet rëndë. Stadiumet tona janë bërë shumë herë skenë e një ngjarjeje të shëmtuar. Njerëz të veçantë mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan, por gabohen. Ata nuk përfaqësojnë kulturën e shumicës dhe si rrjedhojë nuk do të kenë asnjë motiv për të qëndruar në klubin tonë. Ne jemi klubi më i madh në botë, të gjithë presin që ne të njohim ngjyrat. Bayerni është dhe do të mbetet kundër racizmit të çdo lloj forme. Ashtu si dhe gjesteve të dhunshme. Nëse dikush nuk do të respektojë këtë qëndrim tonin, nuk është i mirëpritur këtu. Ka zgjedhur klubin e gabuar”.