TIKA rinovon shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë
Komuna e Prishtinës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë nënshkruar të martën një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit të rinovimit dhe pajisjes me inventar të shkollës fillore “Elena Gjika” në kryeqytet.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë me dije se sipas këtij memorandumi do të rinovohet komplet kjo shkollë.
“Shkolla ‘Elena Gjika’ ka qenë në një gjendje të rëndë sa i përket gjendjes infrastrukturore. Kemi gjetur mbështetjen ta rinovojmë me TIKA-n. I nënshkruam dy marrëveshjet e para për rinovimin dhe pajisjen me inventar të ri për komplet shkollën. Punimet do të zhvillohen me procedura të përshpejtuara të agjencionit dhe synojmë që në shtator shkolla të jetë e rinovuar”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa shefi i zyrës së TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, ka shprehur besimin se rinovimi i shkollës do të bëhet me kohë.
Më shumë se 50 për qind e rinovimit të “Elena Gjikës” do të mbështetet nga TIKA.