‘Tiks.app’ ankohet se u sulmua nga hakerët
“Tiks.app”, platforma për shitjen e biletave të ndeshjes Kosovë-Angli, është ankuar në sulme të hakërreve për dështimin e sotëm që të shesë bileta për ndeshjen e së dielës.
Shumë qytetarë u ankuan se po e kanë të pamundur blerjen e biletave, ndërsa kjo platformë përmes një njoftimi të ri ka thënë se po punon për të riaktivizuar shërbimin.
Kosovarët, në tentime të dëshpëruara për të blerë bileta për Kosovë-Angli
“Ne si platformë kemi qenë cak i disa sulmeve me ç’rast shërbimi ka qenë shumë i limituar. Ne jemi munduar që shërbimin ta mbajmë aktiv gjatë kësaj, mirëpo kjo gjë nuk ishte e mundur. Disa prej përdoruesve kanë arritur të sigurojnë bileta, ndërsa për përdoruesit e tjerë jemi duke punuar në vazhdimësi për të riaktivizuar shërbimin. Ndjejmë keqardhje për situatën e cila është krijuar dhe shpresojmë të kemi mirëkuptimin e juaj në këtë rast. Shpresojmë që këto akte keqdashëse të ndalen sa më shpejtë dhe shërbimi i shitjes së biletave të vazhdojë shumë shpejtë”, thuhet në njoftimin e kësaj platforme.
Ndërkohë, shitja e biletave në tregun e zi tashmë ka filluar e kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se ka kontaktuar me drejtuesit e kompanisë për shitjen e biletave dhe se ai ka marrë garanci se sistemi është duke funksionuar dhe nuk ka probleme.