TikTok sfidon Instagramin! Gjiganti i rrjeteve sociale bën gati aplikacionin e ri
TikTok sfidon Instagramin! Aplikacioni i njohur dhe me miliarda përdorues në gjithë botën, po përgatit një projekt të ri për shpërndarjen e fotove të quajtur “TikTok Notes”. Beteja e ashpër për vëmendje në rrjetet sociale, duket se ka rritur rivalitetin mes TikTok dhe Instagram.
Suksesi i madh në shpërndarjet e videove, ka bindur drejtuesit e këtij rrjeti social që t’i japin vëmendje edhe fotove përmes “TikTok Notes”. Siç raportojnë mediet e huaja, disa përdorues të këtij rrjeti social kanë marrë një njoftim ku shkruhej: “TikTok Notes, një aplikacion i ri për postime të fotografive, po vjen së shpejti!”
Gjiganti i mediave sociale i zotëruar nga Kina nuk ka dhënë një datë të saktë për lancimin e aplikacionit të ri. Edhe pse TikTok njihet më shumë për videot, përdoruesit do të kenë mundësi të shpërndajnë dhe foto me aplikacionin e ri, shkruan Neësbomb.al.
TikTok ka konfirmuar se po punohet me aplikacionin, por nuk ka plane tani për tani për ta hedhur në treg. “Si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të inovuar përvojën TikTok, po eksplorojmë mënyra për të fuqizuar komunitetin tonë për të krijuar dhe ndarë kreativitetin e tyre me foto dhe tekst në një hapësirë të dedikuar për ato formate,” i tha TikTok MailOnline.