Tim Judah për taksën: Kosova nuk kishte me çka tjetër t’i kundërvihej Serbisë
Gazetari britanik e specialisti për Ballkan, Tim Judah, mendon se Kosova edhe nuk kishte me çka tjetër t’i kundërvihej Serbisë.
Meqë Kosova nuk ka aftësi që me diplomaci të luftojë, siç ka vepruar Serbia në rastin e Interpolit dhe në fushatën e tërheqjes së njohjeve nga Kosova, kjo është mënyra e vetme sipas tij, me të cilën Kosova mund të veprojë në mënyrë që kjo ta lëndojë Serbinë, ka thënë ai.
“Kosova po e dënon Bosnjën sepse ajo kërkon viza për kosovarët. Nuk jam i sigurt se vendimi mbi doganat do të tërhiqet shpejt, po edhe pse do të tërhiqej? Diskutimet ndërmjet Thaçit e Vuçiqit nuk po përparojnë ndërsa Serbia zhvillon luftë të fuqishme diplomatike kundër Kosovës” ka thënë Judah për mediet serbe, shkruan “RTK”.
Ai ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, duke theksuar se ka shtete që do të përdorin Veto ndaj Kosovës.
“Ajo që Kosova dëshiron nga BE-ja është liberalizimi i vizave, por duket se shumë shtete janë të gatshme të vënë veto në këtë, kështu që BE-ja nuk ka mjaft mjete në disponim. Shumica e asaj që Kosova blen nga Serbia – është mall konsumi, kështu që mund të sigurohet në vende tjera”, porosit Judah.