Tim Judah reagon pas deklaratës së Merkelit për mosndryshim të kufijve në Ballkan
Gazetari dhe njohësi i çështjeve ballkanike, Tim Judah, është përfshirë në debatin lidhur me mundësinë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Judah në një postim në llogarinë e vet në “Twitter” ka potencuar faktin se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dalë fuqishëm kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Merkeli ka dalë fuqishëm kundër shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës. Derisa krahu i administratës së Trumpit duket se kanë inkurajuar Vuçiqin dhe Thaçin për ta diskutuar këtë çështje, do të jetë interesante të shihet se çfarë do të bëjnë tani. Kush do të dëgjohet?”, ka shkruar Judah.
Lidhur me këtë postim të Tim Judah ka shkruar edhe analisti Daniel Serwer, i cili thotë se mbështet qëndrimin e kancelares Merkel.
Një ditë më parë kancelarja Merkel ka thënë se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë me idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë që sipas tij nuk nënkupton ndarje të Kosovës por bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.