Time Kadrijaj: Unë nuk jam terroriste, prita mbrojtje e jo heshtje nga kryediplomatja
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një shkrimi në llogarinë e saj në facebook, ka kritikuar ministren e Jashtme Donika Gërvallën për fjalimin e saj që mbajti sot në Këshillin e Sigurimit kur flitej për Kosovën.
Kadrijaj tha se në Këshillin e Sigurimit duhet të filtet për interesa shtetërore, e jo tema të brendshme.
Sipas saj, në mbledhje të Këshillit të Sigurimit duhet të filtet për realitetin që daton nga pavarësia e Kosovës, e jo për krim e korrupsion.
Krejt në fund Kadrijaj tha se ka pritur të mbrohet nga kryediplomatja e shtetit, e jo heshtje.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të deputetes:
Në Këshillin e Sigurimit kur flitet për Kosovën, përfaqësuesi i Kosovës duhet të flas për interesa shtetërore e jo për tema te brendshme brenda shtëpisë.
Njerëzit dhe familjet e sakrificave nacionale gjithmonë do ta gëzojnë respektin dhe nderimin e popullit por kjo askënd nuk e fal nga gabimet dhe shkarjet në raport me mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave shtetërore.
Nuk flitet për krim e korrupsion ne mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, por flitet për realitetin që daton nga 17 shkurti 2008.
Dhe krejt në fund, unë nuk jam terroriste (sipas pretendimeve të Serbisë) por qytetare e Kosovës dhe ish-luftëtare e lirisë që e kam kryer detyren me nder për vendin tim, e të paktën këtu unë dhe qindra e mijëra luftëtarë lirie kemi prit mbrojtje dhe jo heshtje nga kryediplomatja e shtetit të Kosovës.