
Tirana dhe Prishtina po e përçajnë faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut
Nga Astrit Gashi
Në kohën kur Maqedonia e Veriut po përgatitet për zgjedhje lokale në vjeshtë dhe rajoni ballkanik po përjeton një dinamikë të re politike, faktori shqiptar në këtë shtet vazhdon të vuajë nga një sëmundje kronike të përçarjes së thellë politike dhe mungesës së çdo ure komunikimi mes vetë aktereve shqiptarë.
Në vend që të funksionojnë si një shtyllë stabiliteti duke ngritur nivelin e përfaqësimit në institucionet shtetërore, partitë shqiptare përfaqësojnë gjithnjë e më tepër interesa personale, kalkulime afatshkurtra dhe ndikime të jashtme që kanë zëvendësuar përgjegjësinë kombëtare me luftë për pushtet dhe mbijetesë politike.
Një nga faktorët më të dukshëm që ka ndikuar në përkeqësimin e këtij fragmentimi është ndërhyrja e vazhdueshme dhe përçarëse e Shqipërisë dhe Kosovës në jetën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në vend që të jenë ura bashkimi dhe burim mbështetjeje institucionale, Tirana dhe Prishtina shpesh janë pozicionuar si palë që favorizojnë grupe të caktuara në dëm të unitetit të përgjithshëm. Politika e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, as parimore, por selektive, klienteliste dhe e orientuar drejt përfitimeve afatshkurtra politike apo personale.
Kjo sjellje është jo vetëm e papërgjegjshme, por bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 8 i saj është i qartë:
“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj; ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të lidhjeve me trashëgiminë kombëtare; ndihmon bashkëkombasit në nevojë dhe përkrah zhvillimin e tyre demokratik, ekonomik dhe kulturor”.
Ky nen nuk është thjesht një formulim ceremonial, por është një obligim moral, institucional dhe historik për çdo qeveri shqiptare që aspiron të jetë përfaqësuese e interesave kombëtare dhe jo njerkë e interesave të grupimeve politike.
Fatkeqësisht, Tirana zyrtare është shndërruar në një aktor përçarës dhe favorizues, përmes mbështetjes së individëve apo partive pa legjitimitet të gjerë, përmes ndërhyrjeve të njëanshme dhe madje edhe financimeve të dyshimta, duke injoruar nevojën për ndërmjetësim të sinqertë dhe gjithëpërfshirës. Ky rol i njëanshëm ka kontribuar ndjeshëm në degradimin e skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe ka dobësuar ndjeshëm përfaqësimin e shqiptarëve në jetën institucionale dhe shtetërore të këtij vendi, ku shqiptarët përbëjnë mbi 30% të popullsisë.
Pasojat janë të prekshme dhe të dhimbshme, që mund të ndikojnë në humbjen e komunave me shumicë shqiptare, përfaqësim të zbehtë dhe simbolik në qeveri, përjashtim nga proceset kyçe politike dhe kushtetuese. Fragmentimi politik nuk është pasojë e ndonjë përplasjeje ideologjike apo konkurrencë programore, por është produkt i një lufte të pandërprerë për pushtet personal dhe kontroll klientelist, që ka prodhuar një klasë politike të delegjitimuar dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve shqiptarë me dekada.
Një nga simptomat më të rënda të kësaj dekadence politike është keqpërdorimi i patriotizmit si mjet për të shmangur llogaridhënien. Sa herë që liderët shqiptarë përballen me akuza për keqqeverisje, korrupsion apo dështim strategjik, ata strehohen pas flamurit, përdorin simbolet kombëtare si perde për të mbuluar paaftësinë dhe instrumentalizojnë ndjenjat e qytetarëve për të mbyllur çdo debat kritik. Ky nuk është patriotizëm, por një manipulim emocional që përdhos idenë e përfaqësimit kombëtar dhe e shndërron atë në mburojë për politikanët e korruptuar dhe të dështuar.
Zgjidhja nuk mund të vijë thjesht nga një marrëveshje sipërfaqësore mes partive ekzistuese. Nevojitet një platformë e përbashkët shqiptare, e ndërtuar mbi parime demokratike, përfaqësim të barabartë dhe përgjegjësi publike. Roli i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë ai i garantuesit të barazisë dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, jo ai i ndërhyrësit që favorizon një palë kundër tjetrës. Po ashtu, është e domosdoshme përfshirja e intelektualëve, profesionistëve dhe rinisë shqiptare në këtë proces, për të ndërtuar ura komunikimi dhe jo mure ndarjeje.
Në një realitet ku institucionet janë mbushur me familjarë të pushtetarëve dhe populli mjaftohet me flamuj në podium, është koha për një kthesë rrënjësore. Faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk ka më luksin të jetë i përçarë. Nëse Shqipëria dhe Kosova duan të mbeten në vetëdijen kolektive si shtete amë dhe jo si njerka të interesave të vogla, atëherë duhet të zgjojnë ndërgjegjen politike dhe të veprojnë sipas detyrimeve kushtetuese, historike dhe kombëtare. Të dalin e të shohin se si jetojnë shqiptarët atje, dhe jo të përçajnë edhe më shumë.
Sepse kur shqiptarët nuk janë një, pala maqedonase është fituese e ne të gjithë jemi humbës. Kujt po i sherbeni?Shqiptarëve JO!?