Tirana Neptun shënon fitoren e parë në edicionin e ri
Tirana Neptun ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me rezultat 79:74 (22:11, 18:20, 13:25, 26:18), në ndeshjen e parë të edicionit të ri.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, deri tek rezultati 6:6, dhe më pas vendasit ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë me shifrat 22:11. Vreshtarët rikthehen në periudhën e dytë për të afruar shifrat në 30:28, megjithatë, bardheblutë shkëputen sërish, duke shkuar në pushim mes pjesëve me rezultat 40:31.
Mysafirët nga Rahoveci nuk u dorëzuan dhe dalëngadalë shkrin epërsinë e Tiranës, duke barazuar shifrat në 53:53, e më pas kaluan në epërsi 53:56, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.
Lojë interesante u zhvillua në 10 minutat e fundit, ku kryeqytetasit shkëputen në epërsi 77:66, por në tre minutat e fundit, Rahoveci nuk dorëzohet, duke afruar rezultatin në 77:74, megjithatë pa arritur të bëjë më shumë dhe në fund triumfon Tirana Neptun me rezultat 79:74, që ishte ndeshja e parë në këtë edicion të Ligës Unike.
Te Tirana Neptun u dalluan Endrit Hysenagolli me 24 pikë e 18 kërcime, Eldi Hysa me 19 pikë, gjashtë kërcime dhe nëntë asistime dhe Julian Hamati me 19 pikë e 12 kërcime, kurse te Rahoveci u dalluan Milik Yarbough me 21 pikë e tetë kërcime dhe Musab Mala me 18 pikë.