Tirana përzgjidhet si një nga tri qytetet më të transformuar në 2018-n
Në rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.
Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për Pazarin e Ri, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.
Kandidatët e finalistët për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.
Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.