Tirana, tanimë edhe qyteti im: Erion do përpiqem të jem qytetar i disiplinuar
Nga Ali Ahmeti
Të dashur vëllezër dhe motra,
I dashur kryeministër Rama, i dashur President Moisiu, i dashur President Topi, i dashur Balla, i dashur Namik, i dashur ministër i jashtëm, e dashur Arta Dade, profesorë e diplomat, politikanë, i dashur z.Majko, ambasadorë.
Unë kam miq këtu shumë, Iliri, Shkëlqimi, Ismeti, Sokol Peza, i dashur Shaban, profesor. Do doja t’ju falenderoj nga zemra, kjo është Tirana edhe e Adem Jasharit, kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, por kjo është Tirana edhe Fehmi Lladrovcit dhe e Xhevë Krasniqit.
Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur ka parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë, Luan Haradinajt që ka qenë si djalin e vet e ka mbajtur nëna Dritë. Kjo nënë, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë heronj të Kombit, që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajt. Do doja t’ju falenderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha: mos e falenderoni njëri tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj. Vetëm ‘puna e mbarë’ të thuhet për të gjitha punët kur bën. Mirëpo, vertetë Shqipëria ka ndarë bukë e kripë e zemër me ne, me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, por janë shqiptarët në Maqedoni, shtetformues.
Unë e kam thënë botërisht që kur kemi nisur veprimtarinë e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare dhe nuk kam asnjë rezervë, ka edhe asisoj që thonë jo e kemi nis për demokraci, etj ne e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare, rrethanat ndryshuan dhe ne ndryshuam edhe ne strategjinë duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe u përkushtuam në çlirimin e Kosovës, por pa garanca të kryeministrit të asaj kohe që nuk do ketë kryengritje në Maqedoni, sepse shqiptarët që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Kosovës, ca u vranë në burgjet e Idrizovës, dhe kjo situatë ishte e pakontrollueshme por edhe e përpunueshme shumë më herët se shqiptarët në Maqedoni ishin të diskriminuar, shqiptarët në Maqedoni ishin të margjinalizuar, shqiptarët në Maqedoni ishin të mbivotuar, pa simbole kombëtare, pa gjuhë, pa universitete.
I dashur Edi, sot edhe ju Skënderbeun e keni në qendër të Tiranës, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër mu në qendër. Edhe ju, me krenari është flamuri kombëtar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam flamurin kombëtar në kancelari në zyra, në komuna, pesë mijë euro është gjoba. Tre universitete, i dashur Edi ia kemi marrë në kazerma të Mlladiçit, kazerma në Shkup është universiteti ‘Nënë Tereza’.
Në Kumanovë, i dashur Erion, përsëri kazerma e Mlladiçit është universiteti i Tetovës. Kemi edhe shumë punë për të bërë, por unë do të doja të falenderoj nga zemra për mbështetjen, përkrahjen që ne na ka dhënë shteti ynë shqiptar.
Tirana, unë e njoh Tiranën e 1991 dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humbem në Tiranë, nuk e di ku jam. Tirana është një Tiranë tjetër krejtësisht dhe kjo gëzon çdo shqiptar që vjen e viziton. Unë do të doja t’iu falenderoj shumë, për këtë nder. Do përpiqem Erion të jem qytetar i disiplinuar, çfarë do aktiviteti që ju keni unë do të jem pjestar se është tanimë edhe qyteti im, zyrtarisht.
Ky nder, e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi, patriotët të burgosurit politikë, në shtetin tim dhe në Kosovë. Sepse veprimtarinë unë e kam, edhe andej edhe andej. E ndaj, me tre mijë mbetje mortore që i kam në vendlindjen time pranën nënës shqiptare, se ata për këtë flamur janë vrarë, për atë gjuhë janë vrarë dhe ju më keni nderuar mua, ju faleminderit shumë. Suksese, paçi në të gjitha fushëveprimtaritë e jetës. Faleminderit shumë!
*Fjala e mbajtur në bashkinë e Tiranës, pas marrjes së titullit ‘Qytetar Nderi i Tiranës’.