Tirana thyen edhe Kastriotin, Teuta ndalet nga Bylisi
Tirana ka mposhtur Kastriotin me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Kategorinë Superiore.
“Bardheblutë” regjistrojnë kështu fitoren e tretë radhazi, e cila ndodh për herën e parë në këtë sezon. Goli i Taulant Seferit në minutën e 20’ me penallti dhe “perla” e Erjon Hoxhallarit në minutën e 59’ nga goditja e dënimit, e bënë të pavlefshëm golin e De Silvës në minutën e 66’.
Ishte një ndeshje e barabartë nga të dyja skuadra, të cilat kishin disa raste shënimi, por “bardheblutë” u treguan më të saktë. Kryeqytetasit shkojnë kështu në kuotën e 35 pikëve në vendin e 5-të, dhe i dërgojnë kështu mesazh Partizanit, me të cilët do luajnë në xhiron e ardhshme në derbin e kryeqytetit. Kastrioti mbetet në kuotën e 28 pikëve në vendin e 7-të. Dominimi i Teutës kundër Bylisit nuk është shpërblyer, pasi ndeshja në Ballsh është mbyllur në barazim 1-1.
Pas gjysmë ore lojë Teuta fitoi një penallti dhe Dejvi Bregu nga pika e bardhë e penalltitë nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë. Bylisi nuk mund ta pranonte disavantashin dhe u hodh në sulm për të shënuar. Nuk u desh shumë kohë dhe ballshiotët ia dolën të realizonin me anë të nigerianit Anthony. Pas një topi të marrë nga Arbër Mehmetllari, sulmuesi u tregua i saktë dhe e mposhti portierin Frashëri. Ndryshim rezultati nuk pati as në pjesën e dytë dhe skuadrat ndanë pikët.