Tiranë: Hetime për shpërndarjen e lajmeve të rreme lidhur me koronavirusin
Udhëheqësit e institucioneve shqiptare u kërkuan qytetarëve të këtij vendi që të mos bien pre të atyre që përhapin panik, për një paraqitje të mundshme të rasteve me koronavirusin e ri.
Prokuroria në Tiranë, ka nisur hetime për përhapjen e lajmeve të rreme për këtë çështje.
“Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për shpërndarjen e informacionit të rremë në media dhe përmes mesazheve telefonike për përhapjen e mundshme të koronavirusit në Shqipëri”, ka njoftuar prokuroria.
Prokuroria ua ka tërhequr vëmendjen qytetarëve se çdo shpërndarje e informacionit të rremë, përmes fjalëve, tekstit ose në ndonjë mënyrë tjetër, me qëllim të shkaktimit të një gjendje të pasigurisë dhe panikut te njerëzit, është e dënueshme pasi përbën vepër penale.
Pa lejen e ministrisë përkatëse, dhe me një vendim të njëanshëm një shkollë private në Shqipëri është mbyllur.
Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka njoftuar se autoritetet i kanë marrë licencën e punës kësaj shkolle.
“Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën”, ka shkruar Shahini në llogarinë e vet në “Facebook”.
Deri më tani, në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast me koronavirus. Tetë raste të testuara kishin treguar rezultate negative, raporton “Rel”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” u ka bërë thirrje qytetarëve të mos u besojnë lajmeve të rreme.
“Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast të shfaqjes së koronavirusit, të cilin jemi të gatshëm ta përballim me organizim dhe profesionalizëm të plotë”, ka shkruar Rama.
Ndërkohë, Shqipëria ka vendosur që për momentin të mos anulojë fluturimet ajrore dhe detare me Italinë, ku gjatë dy ditëve të fundit ka pasur mbi 100 raste të konfirmuara me koronavirus.
Ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka thënë në një konferencë për shtyp se masat do të merren në përpjesëtim me shkallën e rrezikut.
Ministrja tha se nuk kishte vend për panik dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje higjienës së tyre.