Tirani i iluminuar i Firences
Nga: Catherine Fletcher
Në mesin e Mediçëve, familja e famshme e bankierëve që numëronte papët në mesin e klientëve të saj, dhe pjesëtarët e së cilës u bënë de facto sundimtarët e Firences, spikat mbi të gjithë një emër: Lorenco de Mediçi, ose “I madhërishmi”.
Lindi më 1 janar të vitit 1449, në kohën kur familja e tij po gëzonte një pozitë për t’u pasur zili në krye të qeverisjes së Firences. Gjatë 15 viteve qëkur ishte kthyer nga mërgimi, gjyshi i tij, Kozimo De Mediçi, e kishte rindërtuar fuqinë e familjes, duke hyrë në aleanca me familjet e tjera të qytetit përmes martesave, siç ishte ajo e babait të Lorencos me Lukrezia Tornabuonin.
Pas vdekjes së Kozimos në vitin 1464, vendin e tij e zuri i biri, Piero De Mediçi. Në periudhën e shkurtër, vetëm pesëvjeçare të sundimit të tij, Piero porositi një seri spektakolare afreskesh nga artisti Benoco Goxoli për kishëzën e pallatit të familjes.
Kur Piero vdiq në vitin 1469, qeverisja e qytetit kaloi në duart e djalit të tij 20-vjeçar, Lorenco. Ai ishte arsimuar mirë dhe kishte marrë arsimin tradicional të një “njeriu të Rilindjes” në shkencat humane dhe arte nga shumë mësues, përfshirë filozofin e njohur Marsilio Fiçino.
Lorenco ishte poet i talentuar, teksa kishte si hobi gjuetinë, kërcimin dhe shëtitjet në natyrë. Ai ishte i pari nga familja Mediçi që u martua jashtë Firences me Klariçe Orsinin, një anëtare e një familjeje të rëndësishme romane. Ajo martesë ishte tregues se ambiciet e familjes nuk ishin më të kufizuara vetëm në një qytet.
Këto aleanca kishin shumë rëndësi, pasi Mediçët ishin gjithnjë e më shumë të varur nga fuqia e tyre politike, si dhe të ardhurat që ata grumbullonin nga shteti fiorentin – si direkt falë posteve zyrtare që mbanin, ashtu edhe indirekt përmes patronazhit të kontratave.
Por, në një moment, banka e familjes ishte pranë falimentit. Pas mospagimit të një kredie nga mbreti Eduardi IV i Anglisë në vitin 1478, degët e saj në Londër dhe më pas në Bryzh dhe Milano patën shumë vështirësi. Lorenco përjashtoi nga trashëgimia një pjesë të të afërmve dhe nisi të përdorë paratë e tyre për të shpëtuar bankën.
Ndërkohë, Mediçi nisi të anashkalonte strukturat e zakonshme të qeverisë fiorentine, duke qeverisur me anë të komiteteve të emergjencës të mbushura me aleatë, dhe duke i zgjedhur paraprakisht kandidatët në zgjedhje. Por, këto sjellje ngjallën kundërshtime të shumta në qytet, si nga oligarkët rivalë, ashtu edhe shtresat e ulëta të popullatës.
Lorenco arriti deri aty sa të armiqësohej me Papën Sikstusin IV. Tensionet kulmuan në ngjarjet e 26 prillit 1478, në atë që hyri në histori si Komploti i familjes rivale Paci. Atentatorët arritën të vrisnin vëllanë e Lorencos, Xhiulianon, gjatë kohës që të dy po ndiqnin meshën në katedralen e Firences.