Titrimi i serialit “Rrushe”, gjuhëtarët: Paragjykim dhe stigmatizim i varieteteve të shqipes
Titrimi i serialit kosovar “Rrushe” nga Top Channel në Shqipëri ka ngjallur reagime të shumta, duke u bërë prodhimi kinematografik më i përfolur i momentit.
Është hera e parë që Top Channel transmeton një serial që është prodhim i kinematografisë së Kosovës, por këtë herë nuk e la pa e shoqëruar me një risi, që nuk ishte parë e dëgjuar më parë, duke e titruar dialektin e gegërishtes verilindore të përdorur nga aktorët kosovarë.
Shumë herë në medie dhe rrjete sociale kemi parë paragjykime për të folmet që u janë bërë shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por duke mos përjashtuar edhe zonat e tjera në Shqipëri ku flitet gegërishtja, andaj edhe çështja e titrimit u mor nga gjuhëtarë, politikanë, analistë e figura të tjera publike si paragjykim ndaj varianteve dialektore të shqipes.
Gjuhëtarja Sala Ahmetaj në një deklaratë për InLajmin flet rreth kësaj “risie” të Top Channel për serialin “Rrushe”, ndërsa thekson se dialektet e shqipes janë vlerë dhe pasuri, që e kanë gjallëruar edhe më shumë gjuhën shqipe, pa përjashtuar faktin se ajo është shumëfish e normuar dhe shtresëzuar.
“Gjuha shqipe si çdo gjuhë tjetër ka dialektet, të folmet që janë vlerë dhe pasuri e cila e gjallëron dhe e ushqen ose pasuron gjuhën.Të gjithë e dimë se gjuha standarde është varianti i komunikimit zyrtar. Por edhe gjuha standarde ka shumë variante varësisht nga shtresat sociale që e perdorin ose nga stili, andaj kjo dëshmon se gjuha është shumëfish e normuar dhe shtresëzuar”, tha Ahmetaj për InLajmin.
Sipas saj, filmi është një vepër arti dhe gjuha e tij duhet të jetë e natyrshme dhe tipizimi i personazheve duhet të dalë me të folmen e tyre varësisht se nga cila trevë vijnë.
“Filmi apo seriali është një vepër arti dhe gjuha e tij duhet të jetë e natyrshme dhe sigurisht tipizimi i personazheve del me të folmen e tyre varësisisht nga cila trevë vijnë ose edhe cilës shtresë sociale i takojnë, theksoi ajo.
Megjithëse thotë se nuk e ka parë këtë variant të serialit “Rrushe” të përkthyer nga Top Channel, gjuhëtarja Ahmetaj vlerëson se filmi nuk mund të përkthehet dialekt-standard sepse e dëmton vlerën artistike dhe tipizimin e roleve.
“Unë nuk e kam parë këtë variant me të cilin është shfaqur në Top Chanel. Por mendoj se për këto çështje kaq të ndjeshme duhet t’i shohim përvojat më të mira të popujve tjerë si anglezët etj. Filmi nuk mund të përkthehet dialekt-standard sepse dëmton vlerën artistike dhe tipizimin e roleve”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj konsideron se këto veprime i japin shkas përqarjes dhe ndasive brenda kombit ndërsa shton se shqiptarët nga qytetet e ndryshme komunikojnë mjaft mirë dhe lirshëm me njëri-tjerin, pa pasur probleme në të kuptuarit e varianteve dialektore.
“Ne nuk është mirë t’i japim shkas përqarjes dhe ndasive brenda kombit. Ka mënyra të tjera si të veprohet. Edhe sot shqiptarët që nga Prishtina, Llapi, Drenica e deri në Mirditë, Shkodër, Vlorë e Sarandë mirren vesh mirë dhe komunikojnë natyrshëm e shlirë në mes veti. Rastet si ky janë të pakta”, tha Ahmetaj ndërsa theksoi se beson më shumë në forcën e bashkimit sesa të copëzimit.
Nga ana tjetër, gjuhëtari Shpëtim Elezi konsideron se kjo përshtatje e gjuhës së serialit “Rrushe” është praktikë jo e mirë, pasi manifeston njëfarë paragjykimi dhe stigmatizimi të varieteteve të gjuhës shqipe.
“Përshtatja e gjuhës së një seriali në gjuhën standarde, siç ka ndodhur me serialin “Rrushe”, brenda bashkësisë gjuhësore shqiptare, është praktikë jo e mirë që dashur pa dashur manifeston njëfarë paragjykimi dhe stigmatizimi të varieteteve të tjera të gjuhës shqipe. Në fakt, ky paragjykim e stigmatizim ekziston dhe në një formë a tjetër, herë pas here manifestohet edhe publikisht. Tek e fundit stigmë gjuhësore ka edhe brenda Kosovës për të folme e folës të varieteteve të caktuara të saj”, tha Elezi për InLajmin.
Elezi nuk përjashton faktin se gjuha e serialit i tejkalon caqet e gjuhës standarde, por shton se gjuha që e tipizon serialin “Rrushe” është joformale dhe veprimet e tilla si titrimi janë qesharake dhe të pakuptueshme, pasi e cenojnë në thelb artin.
“Gjuha e serialit tejkalon caqet e gjuhës standarde, është gjuhë që tipizon situata të ndryshme edhe joformale dhe personazhe që u përkasin shtresave e niveleve të ndryshme shoqërore, prandaj si e tillë ajo përfshin brenda saj krejt varietetet e mundshme të një gjuhe. Nuk bëhen dot filma apo seriale vetëm në gjuhën standarde, sepse personazhet nuk janë veç të arsimuar dhe situatat në film nuk janë vetëm formale. Prandaj një veprim i tillë siç është bërë me serialin “Rrushe” është qesharak dhe i pakuptueshëm”, theksoi Elezi.
Problemin kryesor të këtij titrimi, Elezi nuk e sheh tek “të moskuptuarit e të folmes së shqiptarëve të Kosovës”, pasi siç thekson ai, shqiptarët me gjithë vështirësitë që hasin në komunikim, kuptohen mes vete pa marrë parasysh prejardhjen e tyre gjeografike dhe sociale, por shton se rasti në fjalë nuk lidhet aspak me gjuhën standarde.
Gjuhëtari Elezi thotë se veprimet e tilla cenojnë në thelb artin sepse arti i filmit qëndron edhe tek gjuha që përdoret, e jo tek ajo që do ta donte një redaktor apo televizion.
“Me gjithë vështirësitë që mund të kenë në komunikim, e kjo gjë është normale, shqiptarët kuptohen mes vete pa marrë parasysh prejardhjen e tyre gjeografike e sociale. Një dëshmi për këtë është gjuha që përdoret në tekste këngësh, por edhe gjuha në medie e në vepra letrare, e cila jo gjithmonë është gjuha standarde, sidomos gjuha e reperëve nga Prishtina, të cilën fare lehtë e gjen të përdorshme në Tiranë e gjithandej Shqipërisë deri në Jug”, vlerësoi Elezi.
Për më tepër, gjuhëtari Elezi vë në dukje faktin se folësit e Kosovës paragjykohen e stigmatizohen në Shqipëri, megjithëse siç thotë ai, ata nuk ndryshojnë aspak nga shqiptarët e Shqipërisë sa i përket shkallës kulturore dhe emancipimit.
“Përtej saj, folësit e Kosovës vihet re se paragjykohen e stigmatizohen në Shqipëri. Kjo shihet përditë dhe në të vërtetë manifeston stigmë sociale që është e thelluar në shoqëri. Shoqëria shqiptare në Shqipëri nuk është më ndryshe nga shoqëria shqiptare në Kosovë. Pak a shumë ka të njëjtën shkallë kulturore e emancipimi në përgjithësi”, tha Elezi.
Nga ana tjetër, profesori i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Luku, thotë se titrimi i formës dialektore të gegërishtes nga një media është vendim absurd, pasi sipas tij, do të duhej të ruhej cilësia e raportimit lokal në komunitete të caktuara.
“Kjo është një tematikë shumë e gjerë. Unë nuk i di rrethanat e vendimit për të titruar shqip-shqip, sepse nuk kam pasur mundësinë të dëgjoj autorët e këtij vendimi, por mund të imagjinoj arsyet se përse është vendosur ky titrim, e cila lidhet me respektimin e gjuhës standarde shqipe”, tha Luku.
Luku konsideron se gjuha standarde shqipe ka nevojë të hapet drejt formave dialektore, duke theksuar se kjo e pasuron cilësinë e gjuhës standarde, por shton se gjuha nuk mund të ndahet me thikë nga komunikimi i përditshëm.
“Ajo që unë mendoj është se gjuha standarde shqipe ka nevojë të hapet drejt formave dialekteve dhe nëndialekteve, duke pasuruar atë që ne cilësojmë gjuhë standarde. Nuk mund të ndahet me thikë gjuha standarde nga njëra anë dhe komunikimi i përditshëm nga ana tjetër. Kjo prodhon një izolim gjuhësor, kulturor, komunikativ, krijon ndasi”, theksoi ai.
Për më tepër, ai thotë se titrimi nuk i la shije të mirë, por që ofroi një aspekt pozitiv, siç është ai i diskutimit për variantet e shqipes.
“Mendoj se këtu buron dhe mendësia për ta titruar shqip-shqip. Në media për shembull, raportimi gazetaresk i përmbahet gjuhës letrare patjetër, por nuk mund të mos transmetosh apo përkthesh një qytetar që flet për çështjen në fjalë në format dialektikore të gegërishtes apo toskërishtes, do të ishte absurde, sepse aty qëndron bukuria dhe cilësia e raportimit lokal apo në komunitete të caktuara, në këtë kuptim, përkthimi i serialit nuk më la një shije të mirë, por, në gjykimin tim, ka sjellë diçka pozitive pasi hapi debatin dhe do të ketë diskutim, i cili shpresoj të vijojë”, tha Luku.
Përveç mendimeve kritike të këtij titrimi apo përkthimi të serialit “Rrushe”, ka pasur edhe nga ata që e kanë parë si pozitive këtë titrim, në mesin e tyre është edhe aktori Shkumbin Istrefi, i cili e ka konsideruar si një gjë të mirë titrimin në shqip të serialit, duke e arsyetuar me faktin se titrimi është lehtësim për personat që nuk mund të dëgjojnë, por edhe për shqiptarët në përgjithësi që ta kuptojnë më lehtë dialektin e përdorur varësisht se ku jetojnë./InLajmi