Tjetër dështim nga Dortmundi
Borussia Dortmund është ndalur të hënën edhe nga Nurnberg, vendi i fundit në klasifikimin e Bundesligës, pas barazimit 0-0, duke konfirmuar krizën e rezultateve. Në pesë ndeshjet e fundit, verdhezinjtë regjistrojnë 3 barazime radhazi në kampionat, mes dy humbjeve përkatësisht në Champions League dhe në Kupën e Gjermanisë.
Nuk ka rezultuar kështu fatsjellës për Borussia Dortmund ndeshja e parë e Mario Gotze në cilësinë e kapitenit të verdhezinjve në Bundesliga. As dominimi i përgjithshëm i Dortmund me lojë e statistika dhe aq më pak superioriteti individual i Witsel e Gotze nuk ka mundur dot të thyejnë Nurnberg.
Në fakt pikërisht ndaj këtyre të fundit, verdhezinjtë mbajnë rekordin e dytë më të gjatë të pathyeshmërisë në Bundesliga, tashmë prej plot 13 përballjeve pa humbje, por pa mundur dot të triumfojnë në këtë javë të 22-të të kampionatit.
Borussia Dortmund ka shpërdoruar kështu shansin më të mirë ndaj modestëve të Nurnberg për të thelluar edhe më shumë epërsinë në krye të klasifikimit në raport me ndjekësit më të afërt dhe rivalët direkt, Bayern Munich. Bavarezët nga ana e tyre kanë rikuperuar konsiderueshëm në dy ndeshjet e fundit.
Në fund të javës së 22-të, Dortmund kryeson klasifikimin në kuotën e 51 pikëve, vetëm 3 më shumë se Bayern i vendit të dytë. Nga ana tjetër, Nurnberg, edhe pas këtij barazimi vijon të renditet në vend të fundit në koutën e 13 pikëve, 5 pikë larg zonës së shpëtimit.