“T’ka hallushka loçkë”, komenti që e zbuloi aferën e punësimit në Obiliq (VIDEO)

05 mars 2024 | 19:45

“Se është kuadër që të len fjetur”.

Kështu e arsyeton drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri, punësimin e rejës së tij, Fitore Jusufi-Zeqiri, si sekretare të shkollës “Ibrahim Rugova”, në Obiliq.

Sipas tij, ajo ka qenë kandidatja më e përgatitur në këtë konkurs dhe punësimi i saj në këtë pozitë është tërësisht meritor, raporton Kiks Kosova.

Ai e mohon se ka ndikuar që reja e tij, Fitorja të zgjidhet sekretare e shkollës, në konkursin e hapur nga drejtoria që ai udhëheq.

Madje, ai pretendon se komisioni e ka kuptuar se Fitorja është reja e tij, tek dy ditë pasi që e kanë bërë vlerësimin përfundimtar dhe e kanë zgjedhur atë për sekretare të shkollës.

Ndërkaq, reja e tij, e cila u përzgjodh në konkursin për sekretare, pretendon se vjehrri i saj, i cili është drejtor i Drejtorisë së Arsimit e cila e hapi konkursin, nuk qe fare në dijeni që ajo ka aplikuar në këtë konkurs.

Madje, për të përforcuar deklaratën e saj se vjehrri nuk ka ndikuar në punësimin e saj si sekretare, ajo thotë se ka aplikuar në disa konkurse të tjera të hapura nga Komuna e Obiliqit, por nuk është pranuar sepse vjehrri i saj nuk ka dashur të ndikojë.

Jusufi – Zeqiri, e cila është juriste e diplomuar dhe e cila thotë se ka përvojë më të gjatë se 16-vjeçare në Administratën Publike, pretendon se zgjedhja e saj në këtë pozitë është meritore.

Gjatë intervistës me Kiksin, ajo nuk e pranon se ka lidhje familjare me Fortesa Jusufin, e cila është bashkëshortja e vëllait të saj, Qëndrim Jusufi.

Por, Fitoren e tradhtoi një koment në Facebook, poshtë fotografisë së mbesës së saj, të bijës së Fortesës dhe Qëndrimit, ku ky i fundit e quan hallë të foshnjës. /Klankosova.tv

https://www.youtube.com/watch?v=cJbfDbG6a2E

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“A mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te…