Tmava: Kosova ka 60 milionë tonë rezerva të mineraleve
Ish drejtori i “Ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, ka deklaruar se ndërmarrja është më shumë se një nocion ekonomik për Kosovën.
“Ndërmarrja “Trepça”, shtrihet aty ku shtrihet, pra në pjesë të ndryshme të Kosovës. Të gjitha resurset minerale janë kategori kushtetuese të Kosovës, që i takojnë këtij populli që jeton në Kosovë”, tha Tmava në emisionin “STRIKE”, në “RTK3”.
Sipas tij në bazë të analizave dhe hulumtimeve “Trepça”, ka shumë potenciale dhe ka shumë resurse në miniera. “Ka miniera në Artanë, me flotacion në Kishnicë, në minierën e Stantërgut dhe në shumë vendburime përreth, në Minierën e Bellobërdës dhe Cërrnacit e Fabrikën në Leposaviq, e fabrikat përpunues në Zveçan, por fatkeqësisht nuk janë funksionale”, tha ai.
Tmava vlerësoi se uji është resurs i jashtëzakonshëm i Kosovës. “Uji është figurativisht mineral dhe Ujmani paraqet bukën e Kosovës, pasi që rrafshi i Kosovës, ujitet nga atje dhe kjo tregon vlerën për nevoja të Kosovës. Sa i përket resurseve minerare Kosova, ka 60 milionë tonë rezerva ku përfshihet Stantërgu, pastaj Artana, Hajvalia etj. Për “Trepçën”, nuk duhet të flitet askund pasi që këtë edhe nuk e lejon kushtetuta , resurset mineraret të Kosovës janë të popullit dhe vendit”, tha Tmava.