Todt: Mick Schumacher më i fortë se gjysma e pilotëve të F1
Mick Schumacher bëri debutimin e tij në Formula 1 në 2021, një sezon pasi fitoi kampionatin e F2 në 2020-tën. Piloti gjerman garoi për dy sezone me Haas dhe në vitin e dytë zhvilloi një kampionat në të cilin ai pati disa kulme të performances. Veçanërisht në Austri, kur përfundoi garën në vendin e gjashtë, pas vendit të tetë marrë në Britaninë dy javë më herët. Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi dhe ai u largua nga Haas, që nuk i rinovoi kontratën.
Në dimrin e vitit 2023, Mercedes zyrtarizoi ardhjen e Mick Schumacher si pilotin rezervë dhe zhvillimit të makinës. Nga ky vit gjermani është gjithashtu pjesë e Alpine për sa i përket programit WEC në klasën Hypercar, por në pistat e Formula 1 nuk ka zbritur. Dëshira e 25-vjeçarit është padyshim që të rikthehet në Formula 1. Sipas Jean Todt, ka disa faktorë që nuk e ndihmojnë djalin e legjendës Michael Schumacher: “Nuk e di nëse Mick është një nga pilotët më të mirë, por mund të them se ai është më i mirë se gjysma e pilotëve aktualë të Formula 1”.
“Ndoshta Mick është shumë i sjellshëm, ndërkohë që në Formula 1 ju duhet të nxirrni bërrylat. Në këtë botë ose kafshon ose të kafshojnë”, ka deklaruar Todt. Ai shtoi se mbiemri është aktualisht një disavantazh për Mick Schumacher: “Shumë mendojnë se është një avantazh, por është kthyer në një disavantazh”. “Pritshmëria e vendosur mbi të ishte e paarsyeshme dhe makina nuk ishte konkurruese. Ai kurrë nuk ishte në gjendje të tregonte potencialin e tij. Presioni ndaj tij ishte i padrejtë. Unë e di këtë gjë sepse kam qenë edhe drejtor i ekipit Ferrari, ndaj performanca e një piloti vuan menjëherë nëse ai nuk ndihet rehat”, ka pohuar Todt.