Todt për gjendjen e Schumacherit: Është pjesë e familjes time, e takoj rregullisht
Po bëhen gati 10 vjet nga aksidenti me ski i Michael Schumacher, 7 herë kampionit të botës në Formula 1 dhe në gjithnjë këto vite lajmet për gjendjen e tij janë me pikatore. Një nga njerëzit më pranë pilotit gjerman është Jean Todt, me të cilin Schumacher shkroi historinë e këtij sporti kur ishin së bashku te Ferrari.
Duke folur për “La Stampa”, Todt ka deklaruar: “Në fillim marrëdhënia jonë ishte profesionale por dalë nga dalë kjo marrëdhënie u forcua shumë deri sa u bëmë miq të mirë. Michael e konsideroj një mik dhe është pjesë e familjes time. Shkoj ta takoj rregullisht dhe në të shkuarën kemi parë mjaft gara së bashku”.
“Gjendja e tij është një çështje private. E vetmja gjë që mund të them është se e adhuroj Michael, e adhuroj familjen e tij dhe është e drejtë të respektojmë privatësinë e tyre. Në marrëdhënien tonë kemi arritur shumë suksese dhe kjo na bën edhe më të pandarë”, u shpreh Jean Todt, ish drejtori sportiv i Ferrari.