Togeri i FSK-së diplomon në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherësh nëntoger, Diar Statovci, ka diplomuar me sukses në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai diplomoi në mesin e 235 kadetëve britanikë dhe ndërkombëtarë nga 27 vende të ndryshme të botës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në “Facebook” ka shkruar për të dhe i ka uruar sukses në karrierën ushtarake.
“Pas suksesit në programin akademik tejet sfidues teorik e praktik të lidershipit ushtarak, Nëntoger Statovci do të kthehet për të marrë detyrën e komandantit të togut në njësitet tona.
Shumë urime nëntoger Statovci dhe ju priftë e mbara në përgjegjësitë e reja dhe karrierën ushtarake. Mirënjohje dhe falënderim i përhershëm për Mbretërinë e Bashkuar, popullin dhe forcat e armatosura të saj”, ka shkruar Mehaj.