Tokat nën menaxhimin e AKP-së, temë diskutimi me Odën e Afarizmit
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) kanë mbajtur takim me përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privativit (AKP).
Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit dhe sigurimi i informacioneve të nevojshme në lidhje me tokat që AKP-ja ka në dispozicion për investitorët dhe palët e interesuara.
Në këtë takim, kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi, ka theksuar se gjatë takimeve që Oda e Afarizmit të Kosovës është duke mbajtur me investitorë vendorë dhe të huaj, është duke parë mundësinë e tërheqjes së tyre në Kosovë.
Po ashtu, Krasniqi ka theksuar se OAK-ut i nevojitet informatë konkrete nga AKP-ja në lidhje me sipërfaqet që ka ky institucion në dispozicion në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe sipërfaqet bujqësore dhe objektet.
Drejtori për Koordinim Rajonal, Petrit Ibraj, ka thënë se problematikë kryesore janë kufizimet që janë të rregulluara me udhëzimet e brendshme, ku kohëzgjatja e kontratave të qiradhënies është vetëm gjashtë muaj deri në 1 vit maksimumi.
“Megjithatë AKP-ja ka një listë të aseteve të pashitura ku përfshihen edhe tokat bujqësore, dhe informatat e nevojshme do t’i përcjellin tek Oda”, ka thënë ai.
Ibraj ka pohuar se sipas vendimeve të bordit, AKP-ja nuk mund të negociojë drejtpërdrejtë me investitorë, por me kërkesën e investitorit.
Me këtë rast, OAK-u do të krijojë një pikë kontakti me sektorin e AKP-së, ku të gjithë anëtarët do të mund të drejtohen me kërkesa specifike, në mënyrë që do të sigurohet një përgjigje e shpejtë.
OAK-u dhe AKP-ja u pajtuan që të ofrojnë mundësi bashkëpunimi të ndërsjellët mes të dyja palëve.
/Epoka e re/