Tolaj: Disa nga masat janë totalisht të paarsyeshme
Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se Kosova është në një situatë jashtëzakonisht të volitshme dhe stabile epidemiologjike.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme është që ta mbajmë situatën nën kontroll. Në të njëjtën kohë të vazhdojmë me vaksinimin në mënyrë masive, duke përfshirë edhe fëmijët duke e paramenduar edhe eventualisht dozën e tretë në të ardhmen, në mënyrë që sa më shumë popullata të jetë e mbrojtur”, ka thënë Tolaj në emisionin Ora Shtatë të Klan Kosovës.
Infektologu Tolaj ka thënë se lirimi i pakontrolluar i masave para pushimeve verore e solli valën e pandemisë në Kosovë më herët sesa në vendet e tjera.
Ai ka shpjeguar se pavarësisht nga masat që merren pandemia është e pamundur të kontrollohet në tërësi derisa populli nuk ka një nivel mbrojtës.
Tolaj ka theksuar se disa nga masat janë totalisht të paarsyeshme.
“Disa nga masat janë totalisht të paarsyeshme, si për shembull mbajtja e maskave në ambiente të hapura, nuk ka ndonjë logjik aspak, kur në një ambient të mbyllur të gjithë i heqin ato maska. Ose ora policore nuk ka asnjë sens. Ose masat të cilat është vështirë me i përmbushë ose me i kontrollu në vendet që nuk kanë ndonjë sistem të fortë, siç është Kosova”, është shprehur Tolaj.