Tolaj: Mbi 600 mijë njerëz e kanë kaluar Covidin në Kosovë
Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se mbi 600 mijë njerëz në Kosovë e kanë kaluar Covidin
Ai ka deklaruar se ky imunitet i krijuar po e ndihmon Kosovën që në valën e tretë të virusit mos të shënojë shumë raste të reja të infektuara.
“Unë e kam përcjell një trend dhe mendoj që në Kosovë mund të thuhet lehtësisht se mbi 600 mijë njerëz e kanë kaluar Covid-19. Studimet e fundit nga ShBA janë të atilla që vetëm 13 deri 18 për qind, varësisht se sa testime bëhen, identifikohen rastet që e kanë kaluar COVID-19, prandaj sipas kësaj përllogaritje nëse i kemi 70 ose 80 mijë të identifikuar me Covid-19 deri tash del që një numër ekstrem i lartë i rasteve e kanë kaluar atë. Ky imunitet i krijuar po e ndihmon Kosovën që në këtë valë të tretë, pas tubimeve në fushatë parazgjedhore, të mos kemi 3000-4000 raste të reja”, ka thënë ai për “Klan Kosovën”.
Tolaj ka theksuar se “zgjedhjet e fundit në vend janë shkelja më brutale që i ka ndodhur masave kundër Covid-19 nga politikanët dhe autoritetet e Kosovës”.