Tolaj: Të vendoset taksë simbolike për ata që nuk ishin pjesë e luftës
Ish-sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Valon Tolaj, ka dalë me propozim që të vendoset një taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se numri i atyre që nuk kanë qenë pjesë e luftës është mbi gjysmë milioni.
“Meqë numri prej 38 mijë veteranëve po na duket shumë i lartë dhe po konsiderohet barrë e madhe financiare për shoqërinë dhe shtetin, për mendimin tim është shumë e thjeshtë tejkalimi i kësaj situate në aspektin financiar: Të vendoset taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë, e që në vitet ’98-’99 kanë qenë të moshës madhore mbi 18-vjeçar. Numri i tyre është shumë i madh, mbi 500 mijë. Ka plot kombe e shtete që kanë vepruar kështu. Unë bëj pjesë te ky grupi i madh prej 500 mijë, për korrektësi, dhe jam i gatshëm të paguaj taksën time. I turpshëm, gërditshëm e fyes ky debati mbi veteranët. Marre duhet me na ardhur të gjithëve”, ka shkruar Tolaj.
/Epoka e re/