Tolaj: Vendimi për masat reja anti-Covid, i ngutshëm dhe pa analizë të mirëfilltë epidemiologjike
Infektologu Ilir Tolaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja anti-Covid është i ngutshëm dhe politik.
Ai deklaruar se vendosja e masave shtesë është bërë pa një analizë të mirëfilltë epidemiologjike dhe mjekësore.
Sipas tij, mbylljet e këtilla nuk kanë ndonjë ndikim në ecurinë e pandemisë, duke theksuar se fushata zgjedhore ka ndikuar në prishjen e ekuilibrit.
“Masat të cilat në vete ngërthejnë edhe mbylljen të këtij tipi çfarë kemi ne tash, bëhen gjithmonë për një arsye të vetme e ato janë për të zvogëluar numrin sepse domosdo do ndikojnë në uljen e rasteve të reja dhe rrjedhimisht me këtë për ta kursyer sistemin shëndetësor nga rastet e shumta të cilat nuk munden me i përballë. Por mbylljet e këtilla dhe masat e këtilla nuk kanë ndonjë ndikim në ecurinë e pandemisë në aspektin afatgjatë, në moment kur masat tërhiqen dhe ato lirohen atëherë kur komunikimi i njerëzve me jetën normale atëherë domosdo që do të shtohen sërish numrat”.
“Lidhur me momentin e ndërmarrjes së këtyre masave vlerësoj të ngutshëm dhe si një veprim më shumë politik sesa i bazuar në një analizë të mirëfilltë epidemiologjike dhe mjekësore, pasi ne edhe ashtu disa ditë para marrjes së masave kishim një rënie të numrit të rasteve. Do ishte më e arsyeshme sikur autoritetet shëndetësore edhe ato politike të kishin pritur edhe disa ditë për të parë se ky trend i rasteve apo vazhdon apo jo, në rast që do kishte vazhduar atëherë këto masa ishte dashur të kenë një formë krejtësisht tjetër. Ne ishim dëshmitar që fushata zgjedhore e prishi këtë ekuilibër të ecurisë së pandemisë dhe më pastaj ishin edhe mospërfillja ekstreme e kafiterive sidomos në orët e vona të natës”, ka thënë Tolaj për “EO”.
Më tutje, ai ka thënë se në rast se vendi do të përballet me një valë të re të virusit, kapacitet spitalore nuk do të mund ta përballonin.
Infektologu Tolaj ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses menaxhimin e pandemisë dhe se merita i takon qytetarëve, por që edhe kjo ka ardhur për shkak të moshës së re të popullatës.