TOLERANCA DHE E NJERËZISHMJA

06 maj 2020 | 22:12

Shkruan: Mergim Hyseni

Me të vërtet muzika, arti në përgjithësi dhe sporti i bashkon njerëzit. Shpresoj që së pari të normalizohet gjendja nga pandemia e pastaj të fillojmë ta zbukurojmë jetën me gjëra të mira siç janë ato që i ceka më lartë!
Neve, nuk na duhen as edhe më së paku politika me qëllime të këqija, të interesave personale e vetëpërmbushjes së shpirtit egoist e dashakeqës vetëm e vetëm që t’i arrijnë qëllimet personale në jetët e tyre duke shkatërruar gjenerata e shoqëri të tëra!
Pa anuar dhe aspak i politizuar ky shkrim i imi është dëshira për t’iu kthyer humanitetit asaj më njerëzores, bujarisë dhe fisnikërisë ashtu si i takon një njeriu të kësaj epoke moderne.
Për mijëra vite muzika, arti dhe sporti e kanë shoqëruar njeriun në të mirë e në të keq. I ka bashkuar ata dhe i ka afruar nacionalitete të ndryshme.
Pa marrë parasysh qëndrimet personale apo grupore të njerëzve të caktuar për qëllime të caktuara ne nuk duhet ti vëmë ato përpara moralit njerëzor. Pa marrë parasysh se kush ku beson, kush kë e mbështet, kush ku punon, e kush me kë etj… ne duhet respektuar, nderuar, afruar njëri tjetrin. E aq më shumë në kohëra të vështira!
Për shekuj me radhë ka pasur mosmarrëveshje e urrejtje fetare dhe kushdo pakë që di histori e di që ka pasur luftëra e vrasje nga më të këqijat e më makabre. Derisa është arritur një tolerancë fetare.
Gjithashtu edhe në jetët tona të përditshme duhet të gjejmë tolerancë në mes vete e të krijojmë një shoqëri pa kritika e pa urrejtje se kush ku qëndron ose mbështet.
Normalisht se është mirë të mendosh e të kesh qëllime, plane, besim, të gjesh apo të japësh mbështetje, të krijosh diçka e ti arrish ëndrrat e tua në jetë.
Por, ajo çka është më e rëndësishmja… të mos e humbasësh “të njerëzishmen”, njerëzoren, humanitetin në shpirt. Qëllimet e çfarëdoshme që ndikojnë negativisht në relacione të shoqërisë janë qëllime të padobishme për njerëzit e këdo!
Unë shpresoj e besoj se një ditë të gjithë së bashku, si shoqëri e një shteti më të ri në Evropë do t’i arrijmë të gjitha këto që na bashkojnë sa më shumë me njëri-tjetrin.
Normalisht se, muzika e sporti nuk mjaftojnë të ecim përpara në shkencë e në zhvillim jetësorë. Por pikërisht këto janë çelësi kryesor për krijimin e shoqërive që i ceka më lartë, duke lindur ide e bashkëpunime nga më të ndryshmet e frytdhënëse.
Qëllimi i këtij shkrimi ishte edhe cekja se, ideja e të qenit kritik, me shprehje apo fjalë që nxisin urrejtje përçarje dhe ofendime nuk na çojnë në një situatë paqësore apo fituese. Duke marrë parasysh se “Nuk ka luftë të mirë”, e as “Paqe të keqe” duhet menduar mirë e mirë kur shprehemi… edhe pse e kemi lirin e shprehjes!
Nëse ti mbështet një ekip futbolli, një grup politikanësh, një grup muzikantësh, një grup sportistësh etj etj… nuk është gjë e keqe!
Gjë e keqe është kur ti përmes asaj shkakton, përçarje, trazira, urrejtje, dhimbje, situata nga më të ndryshmet. Prandaj nuk duhet keqkuptuar mënyra e të qenit anëtar, fans, mbështetës i grupacioneve të ndryshme! Vetëm se duhet qartësuar pikërisht qëllimin e caktuar të atij aktiviteti.
Unë personalisht, e shoh totalisht jonjerëzore dhe aspak nuk i konsideroj së paku njerëz ata të cilët po përdorin kohëve të fundit ofendime përmes sarkazmave, kritikave, komentimeve, ideve politizuese përçarëse.
Vetëm e vetëm të krijojnë tollovi, rivalitet dhe kinse fitore!
Vetë “SunTzu” gjenerali më i madh i të gjitha kohërave e ka cekur se nuk shkohet në luftë duke marrë edhe rezervat e fundit e duke varfëruar popullin deri në varfërinë e skajshme.
Pikërisht kjo i bie se kushdo që po e përgatitë atë luftë me rezervat e fundit të shoqërisë do të vijë një fitore e varfër, një paqe e skllavëruar e një jetë e një luftëtari të plagosur rëndë deri në fundin e jetës së tij!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e Ditës së Dëshmorëve, në qendër të Komunës…