
Toma: Kam pasur kontakte me FFK-në, por dua të luaj për Zvicrën
Bastien Toma ka folur se për cilin ekip përfaqësues do të dëshironte të luante. Në një intervistë për “RhoneFM”, lojtari shqiptar me pasaportë zvicerane ka bërë me dije se ai dëshiron t’i përfaqësojë helvetikët, edhe pse ka pasur disa kontakte me Kosovën.
Toma zbuloi se e sheh si ëndërr paraqitjen në fanellën e Zvicrës. “Zgjedhja nuk është bërë ende. Kohët e fundit kam pasur shumë bisedime me Kosovën, por unë ende do të doja të luaja për ekipin zviceran. Në fund do të jetë një zgjedhje e zemrës. Më takon mua të marr vendimin dhe jo agjentët e mi ose familja ime sepse do të jem unë dhe vetëm unë në terren që do të mbroj një nga këto ekipe. Por, tani për tani, siç thashë më parë, gjëja më e rëndësishme është që unë mund të fitoj vendin tim në Genk”, ka thënë Toma.
I pyetur se a ka menduar ndonjëherë se do të gjendeni përballë kësaj zgjedhjeje, Toma është përgjigjur: “Siç thashë, është një zgjedhje shumë e ndërlikuar. Nëse ekipi zviceran më thërret, do të jetë kulmi i diçkaje. Unë kam luajtur për kategori të ndryshme ekipesh në Zvicër q kur isha shumë i ri”. Lojtari 22-vjeçar është aktualisht pjesë e Genkut dhe, sipas tij, Zvicra është zgjedhja e tij e parë, e nëse nuk arrihet marrëveshja, më pas t’i thotë ‘PO’ Kosovës.