Tomasson emërohet përzgjedhës i Suedisë
Federata suedeze e futbollit ka zyrtarizuar këtë të hënë trajnerin e ri të kombëtares së tyre.
Bëhet fjalë për 47-vjeçarin Jon Dahl Tomasson, i cili hyn në histori si i pari josuedez që merr “timonin” e përfaqësueses nordike.
Danezi, i njohur nga opinioni sportiv kryesisht si ish-sulmuesi i Milanit, ishte larguar në fillim të muajit shkurt nga Blackburn Rovers dhe ka firmosur tashmë një kontratë të vlefshme me kombëtaren e Suedisë deri në fund të kualifikueseve të Botërorit 2026.
“Pres me padurim ta nis këtë mision të madh dhe të takoj tifozët, lojtarët dhe, natyrisht, gazetarët e Suedisë. Dua të jem në gjendje të mendoj, të flas dhe të ëndërroj si verdheblu”, ka thënë trajneri i ri i Suedisë në prezantimin e tij. Tomasson pritet të debutojë në miqësoren me Portugalinë, më 21 mars, ndërsa katër ditë më vonë Suedia do të luajë me Shqipërinë, në Solna