Tomë Gashi: Gjykata Supreme përsëri bllokon lirimin e Sylejman Selimit
Avokati Tomë Gashi ka bërë me dije se Gjykata Supreme e Kosovës përsëri ka bllokuar lirimin e Sylejman Selimit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se që nga 11.06.2018 gjeneral Sylejman Selimi është duke u mbajtur në burgun e Dubravës pa asnjë të drejtë.
“Për këtë nuk ka asnjë arsye ligjore përveç arsyeve ‘të fshehta’ që eventualisht ‘mund t’i dije’ apo ‘t’i ketë shpikur’ vete Gjykata më e lartë në Republikën e Kosovës për ta mbajtur atë në mënyrë të kundërligjshme në burg. Arsye ligjore nuk ka as për ta bllokuar lirimin me kusht të Sylejman Selimit gjë që këtë herë e bëri paneli për lirimin me kusht duke kërkuar informacione nga Gjykata Supreme të cilat ne avokatët e Sylejman Selimit jemi duke i kërkuar për më tepër se 133 ditë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se është mëse e qartë se janë arsye politike dhe joligjore për mbajtjen e gjeneral Sylejman Selimit në burg në mënyrë të kundërligjshme.
“Ata që po e mbajnë duhet të mendojnë për vetveten sepse një ditë do të përballen me forcën e ligjit. Për mbajtjen e kundërligjshme të Sylejman Selimit në burg është duke u përgatitur një kallëzim penal kundër të gjithë përgjegjësve që do të identifikohen për këtë skandal të qëllimshëm juridik me prapavijë politike. Gjeneral Sylejman Selimi nuk besoj qe ka luftuar për kësi sistemi juridik të Kosovës ku pasiguria juridike qëllimisht është duke u krijuar edhe ndaj vet komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi.
/Epoka e re/