Tomë Gashi: Haki Abazi duhet të tregojë se pse ka heshtur deri më tani
Në lidhje me deklaratën e deputetit Haki Abazi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe se për këtë çështje duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes duke filluar nga kryeministri Kurti, ka ngjallur reagime të shumta.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe avokati Tomë Gashi, i cili nga familja Dehari është i angazhuar për këtë rast.
“Z. Haki Abazi dorëzoi provat në Prokurori. Pas prononcimeve të deputetit të Republikës së Kosovës z. Haki Abazi, kam paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të tij në cilësinë e dëshmitarit. Z. Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që ta dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes se mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, të cilat janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para dy muajve”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Gashi ka theksuar se deputeti Abazi ka deklaruar se ka bërë një hulumtim dhe se sipas tij ekzistojnë videoincizime me të cilat “dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi” në Institutin e Mjekësisë Ligjore. “Askush nuk mund të intervistohet para se të intervistohet z. Haki Abazi. Z. Abazi duhet të tregojë se pse ka heshtur deri më tani”, ka deklaruar avokati Gashi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë me dije se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë për medie, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim.