Toni Kroos përlot fansat me postimin e tij lamtumirës: Pra kaq ishte!
Lojtari i Realit të Madridit dhe Kombëtares gjermane të futbollit, Toni Kroos, ka varur zyrtarisht këpucët e tija në gozhdë, por jo pa i përlotur të gjithë dashamirësit e futbollit të tij dhe mbarë komunitetin sportiv më parë.
Në një publikim të bërë në mediat e tija sociale, Kroos thotë se tashmë ka ardhur fundi i rrugëtimit të tij si futbollist aktiv, në moshë 34-vjeçare.
Megjithatë, ai bën një retrospektivë të karrierës së jashtëzakonshme që ka kryer, si për klube, edhe për ekipin kombëtar, mes trofeve të shumtë dhe dashurisë së madhe që loja e njerëzit që e rrethojnë i kanë falur.
Ja çfarë shkruan Kroos:
Pra, kaq ishte. Por, përpara se të bëj një pushim dhe të paktën të përpiqem të kuptoj se çfarë ka ndodhur gjatë 17 viteve të fundit, nuk dua të humbas rastin t’ju them faleminderit të gjithëve që më pranojnë si dhe kush jam.
Faleminderit të gjithë fansave të mi në mbarë botën për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar.
Faleminderit të gjitha klubeve dhe trajnerëve të mi që besuan tek unë. Faleminderit të gjithë bashkëlojtarëve të mi që më bënë të ndihem i mirëpritur në çdo kohë.
Faleminderit miqve të mi që janë gjithmonë të sinqertë me mua, pavarësisht se sa i suksesshëm jam. Faleminderit agjentëve të mi që u bënë miq. Faleminderit prindërve të mi për përgatitjen më të mirë të mundshme për të realizuar ëndrrën time.
Faleminderit vëllait tim Felix Kroos, që ka qenë gjithmonë fansi im numër një. Faleminderit fëmijëve të mi që janë motivimi im më i madh për të sjellë më të mirën prej meje – asgjë më e mirë për t’i parë fëmijët tuaj të jenë krenarë për babain.
Faleminderit gruas sime të bukur Jessica Kroos që është ashtu siç është. Kurrë mos ndrysho. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa ty, është i yni!
Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme: Faleminderit Futboll! Ti lojë e bukur. Dhe… s’ka përse!