Tony Blair ia shpëton imazhin familjes mbretërore
Mbretëresha Elizabeth i ka një borxh të madh ish-kryeministrit Tony Blair, e gjithçka mbi këtë çështje e zbulon dokumentari i ri për familjen që do transmetohet në “Channel 4”.
Sipas historianëve, kur Princeshë Diana humbi jetën në aksidentin e rëndë në Paris, i gjithë imazhi i familjes mbretërore për pak mori fund.
Burime në Britani bëjnë fajtore vetë mbretëreshën e cila atë ditë ndodhej me pushime në Skoci dhe nuk ndërmori asnjë veprim të menjëhershëm pas lajmit duke mos parashikuar që vdekja e Dianës do sillte reagime të tilla nga populli. Të gjithë ata që e deshën Princeshën iu drejtuan si fajtore e përgjegjëse për aksidentin Mbretëreshës Elizabeth. Ka qenë pikërisht nxitja dhe këmbëngulja e Kryeministrit të asaj kohe, Tony Blair që mbretëresha pas pak orësh të rikuperonte gabimin duke u kthyer në Angli e hapur zyrtarisht homazhet për Dianën, si nëna e nipërve të saj.
Në dokumentar theksohet se për Mbretëreshën ishte e vështirë ta pranonte faktin se po gabonte dhe më tepër të ishte ish-kryeministri Blair që e nxiti për të vepruar sipas dëshirës së pjesës më të madhe të popullit të saj, kështu që ajo si për t’i kthyer favorin i dha një mbështetje të madhe Tony Blair kur ai filloi të humbiste pushtetin. Mediat britanike në disa shkrime pas ngjarjes shkruan se pavarësisht dëshirës së Mbretëreshës, për popullaritetin e saj rreth kësaj ngjarjeje ajo i detyrohet ish-kryeminitrit Blair.